– “Allahu nuk e do thënien hapur të shprehjeve të këqija, …” – Allahu i Lartësuar na tregon se Ai nuk i do fjalët e këqija, kur thuhen hapur. Ai i urren dhe ndëshkon për to. Këtu përfshihen të gjitha llojet e fjalëve të këqija, të cilat njerëzit i njohin si të tilla. Fjalë të këqija janë ato që të bëjnë të ndihesh keq, të shqetësojnë, të mërzisin dhe trishtojnë, si sharjet, shpifjet, gënjeshtrat etj. Të gjitha këto janë të ndaluara dhe të urryera nga Allahu i Lartësuar. Kuptimi i ajetit tregon, gjithashtu, se fjalët e mira janë të dashura për Allahun dhe të shpërblyeshme prej Tij. Të tilla janë, për shembull: dhikri, fjalët e ngrohta dhe të buta etj. Pastaj i Lartësuari thotë:
– “… përveçse nga ata që u është bërë padrejtësi.” – Pra, të dëmtuarve u lejohet që të luten dhe të ankohen kundër atyre që i kanë bërë padrejtësi. U lejohet edhe që të shajnë dhe të flasin keq kundër atyre që i kanë sharë e ofenduar, por pa thënë gënjeshtra e shpifje. Gjithashtu, ata nuk duhet ta teprojnë e të fyejnë edhe të tjerët që nuk janë të përzier. Megjithatë, fakti që ky veprim është i lejuar nuk do të thotë që është zgjedhja më e mirë. Sigurisht, falja dhe toleranca është rruga më e mirë, sikurse thotë i Lartësuari: “Ai që fal dhe përmirëson e ka shpërblimin tek Allahu.”.
– “Allahu Dëgjon dhe Di gjithçka.” – Pasi ajeti na mësoi rreth fjalëve të lejuara, fjalëve të këqija dhe fjalëve të mira, Allahu i Lartësuar na kujton një fakt shumë të rëndësishëm, që të shërbejë si këshillë për fjalët që themi dhe veprimet që kryejmë. Kështu, Ai është El Semiu – Dëgjuesi. Ai dëgjon të gjitha fjalët që ne themi, prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm, në mënyrë që të mos nxjerrim nga goja fjalë me të cilat zemërohet Allahu, sepse Ai do t’i ndëshkojë njerëzit për to. I parë ndryshe, ajeti nxit për të thënë fjalë të mira dhe të dobishme. Allahu është gjithashtu El Alim – i Gjithëditur. Ai i njeh mirë qëllimet që fshihen brenda shpirtit tonë dhe shkakun e fjalëve tona. Pastaj i Lartësuari thotë: