– “Në qoftë se ata të quajnë gënjeshtar, thuaju: “Me të vërtetë, Zoti juaj e ka Mëshirën të gjerë …” – Nëse idhujtarët të mohojnë, ti përsëri vazhdo t’i ftosh ata, duke përdorur çdo strategji të mundshme: qortimin dhe kërcënimin, përgëzimin dhe inkurajimin. Mësoju atyre se Allahu i Lartësuar është Mëshirues i Madh.
Le ta kuptojnë ata se mëshira e Allahut të Lartësuar i përfshin të gjitha krijesat. Nxitoni, atëherë, që të hyni në mëshirën e Tij, duke plotësuar të gjitha kushtet që e bëjnë të mundur një gjë të tillë! Pa dyshim, në krye të këtyre kushteve është besimi dhe pranimi i Muhamedit (a.s)si profet i Zotit dhe pranimi i Shpalljes që ai solli prej Zotit. Por përmendju atyre edhe një fakt tjetër, që nuk duhet ta harrojnë për asnjë moment:
– “… por dënimi i Tij kurrë nuk do të sprapset nga një popull keqbërës.” – Kriminelë janë ata që e kanë tepruar me krime dhe poshtërsi. Prandaj kujdesuni që të mos bini në ato krime që shkaktojnë ndëshkimin e ashpër të Allahut! Mos harroni dhe kuptojeni mirë se në krye të të gjitha krimeve, domethënë më i madhi i tyre, është mospranimi i Muhamedit (a.s)si profet i Zotit dhe refuzimi i Shpalljes që ai solli prej Tij.