– “E vërteta vjen nga Zoti yt …” – E çfarë mund ta meritojë këtë emër më shumë sesa kjo Shpallje e mrekullueshme, sesa ai udhëzim i sjellë prej Allahut të Lartësuar nëpërmjet të Dërguarit të Tij? Kjo Shpallje meriton më shumë se çdo gjë tjetër të quhet “e vërteta e sjellë nga Zoti”, sepse ajo përmban qëllime të larta dhe dispozita të drejta.
Ajo është pastruesja e shpirtrave dhe nxitësja e tyre drejt përkushtimit për arritjen e çdo të mire dhe për largimin nga çdo e keqe. E si të mos ishte e tillë, kur dihet se ajo buron nga vetë Zoti, që përkujdeset për adhuruesit e Tij? Prej përkujdesjes së Tij të posaçme është edhe shpallja e Kur’ânit, i cili pastron dhe lartëson mendjet e shpirtrat. Me anë të tij, arrihet çdo mirësi e mbarësi, në dynja dhe në ahiret.
– “… prandaj mos u bëj nga ata që dyshojnë!” – Mos lejo të hyjë në zemrën tënde asnjë lloj dyshimi rreth vërtetësisë së Shpalljes! Përkundrazi, shtoji edhe më shumë përsiatjet mbi librin e Zotit tënd, që të shtosh edhe më tepër sigurinë që tashmë e ke! Meditimi i gjatë dhe i thellë mbi Kur’ânin ka për të larguar çdo lloj dyshimi.