Select Page

– “Ata të cilët i mohojnë Shenjat Tona dhe takimin në Ahiret – ata i kanë asgjësuar veprat e tyre.” – Këtu bëhet fjalë për ata që mohojnë argumentet, shenjat dhe mrekullitë madhështore të Zotit, që dëshmojnë për vërtetësinë e Shpalljes së Tij. Ata nuk e besojnë as ahiretin, por e konsiderojnë atë një gënjeshtër. Kësaj kategorie Allahu i Lartësuar ka për t’ua asgjësuar të gjitha veprat, sepse ato nuk kanë themel.

Atyre u mungon kushti kryesor që duhet të plotësojë një vepër për t’u pranuar: besimi në shenjat dhe në Shpalljen e Zotit të Lartësuar, si dhe besimi në Ditën e Gjykimit. Ata nuk besojnë Allahun e Lartësuar, nuk besojnë Shpalljen e Tij dhe, rrjedhimisht, as profetët e Tij. Sipas tyre, nuk ekziston një ditë kur ata do të shpërblehen sipas punëve që kanë kryer në këtë jetë, prandaj e meritojnë t’u asgjësohen të gjitha veprat.

– “A nuk do të shpërblehen ata veçse sipas asaj që kanë bërë?” – Veprat e tyre do të asgjësohen të gjitha. Në fakt, ata as që besojnë se do të ketë një ditë kur do të shpërblehen me drejtësi nga Allahu i Lartësuar, prandaj e marrin shpëblimin që në jetën e dynjasë për ato vepra të pakta që kryejnë, ndërsa në ahiret ato do t’u shkatërrohen e nuk do t’u sjellin asnjë dobi.