Select Page

– “Unë do t’i spraps nga shenjat e Mia ata …” – Nga shenjat e Allahut të Lartësuar, qofshin ato në horizont apo në Shpalljen e Tij, nuk përfitojnë ata njerëz që kanë këto cilësi:

– “… të cilët tregohen mendjemëdhenj në tokë duke shpërfillur të drejtën. Ata edhe nëse i shohin të gjitha Shenjat, nuk do të besojnë në to.” – Ata të cilët tregohen arrogantë përpara robërve  të Allahut dhe nuk nënshtrohen për të pranuar të vërtetën. Ata tregohen mendjemëdhenj ndaj profetëve të Zotit dhe atyre që u mësojnë njerëzve të mirën, fenë dhe rregullat e jetës, që Zoti ka përcaktuar.

Njerëz me të tilla cilësi Allahu i Lartësuar i privon nga mirësi të shumta dhe i lë të mbështeten në veten e tyre. Ata të mjerë kurrë nuk mund ta gjejnë të mirën dhe udhëzimin e drejtë. Ata nuk e kuptojnë mesazhin e Zotit dhe shenjat e Tij në këtë botë. Përkundrazi, ata e shohin si të mirë atë që është e keqe dhe e shohin si të keqe atë që është e mirë. Ata, edhe nëse shohin të gjitha shenjat, përsëri nuk besojnë, sepse e urrejnë dhe nuk duan që ta besojnë të vërtetën e Zotit. Ata nuk duan të nënshtrohen sipas porosive të Zotit. Ata kanë urrejtje ndaj Allahut të Lartësuar dhe Profetit të Tij.

– “Nëse shohin rrugën e shpëtimit, ata nuk e marrin atë rrugë …” – Atyre vazhdimisht u paraqitet e qartë rruga e drejtë, ajo rrugë që të çon tek Allahu i Lartësuar dhe në lumturinë e përjetshme. Por, megjithatë, ata nuk e marrin atë rrugë. Ata nuk e pranojnë atë si rrugë të drejtë dhe nuk duan të jetojnë sipas saj. Nga ana tjetër, ndodh krejtësisht e kundërta kur atyre u paraqitet rruga e humbjes. Ata dorëzohen totalisht para saj, sepse ashtu u plotësohen dëshirat e shfrenuara të kësaj bote:

– “… e, nëse shohin rrugën e humbjes – kjo është rruga që e ndjekin ata.” – Kur atyre u ofrohet rruga e cila i çon në humbje, ata e zgjedhin menjëherë atë. Po cili është shkaku që ata bëjnë një zgjedhje të tillë? Allahu i Lartësuar thotë:

– “Kjo ndodh ngase ata i kanë mohuar Shenjat Tona dhe janë treguar mospërfillës ndaj tyre.” – Së pari, sepse ata refuzojnë shenjat dhe faktet e Allahut të Lartësuar, duke i konsideruar ato si mashtrime dhe, së dyti, sepse janë të pakujdesshëm e mospërfillës ndaj këtyre fakteve e shenjave të Zotit. Ata nuk u kushtojnë rëndësi atyre, për të kuptuar diçka më tepër. Madje, përkundrazi, ata i nënçmojnë argumentet e Zotit. Rrjedhimisht, ata ndjekin rrugën e humbjes dhe të shkatërrimit.