– “Edhe nga devetë janë dy krerë (femër e mashkull) dhe nga lopët dy krerë (femër e mashkull). Thuaj: “A janë ndaluar meshkujt apo femrat, apo ajo që mbajnë në bark femrat?” – Pasi sqaroi kotësinë e pretendimeve të tyre, Allahu i Lartësuar u drejtohet me disa fjalë, që, nëse do të logjikonin dhe arsyetonin me kujdes, nuk do t’u mbetej gjë tjetër veçse të pasonin Shpalljen dhe Ligjin e Tij:
– “Mos vallë ishit dëshmitarë kur Allahu vendosi këto rregulla?” – Kuptimi: Që të vërtetoni saktësinë e pretendimeve tuaja, ju mbetet vetëm kjo rrugë: të thoni që keni Shpallje nga Zoti ku mbështeteni. Ju duhet të pretendoni që Zoti ju ka shpallur edhe juve ligje dhe dispozita, të cilat janë në kundërshtim me gjitha porositë e profetëve dhe me të gjitha shpalljet që Zoti ka sjellë.
Por të gjitha këto pretendime duhet të vërtetohen me prova dhe fakte, ashtu sikurse profetët, të cilët Zoti i mbështeti me prova e mrekulli të shumta. Por kjo është e pamundur që të kryhet nga ju. Kështu, Allahu i Lartësuar do ta bëjë të qartë të vërtetën nga e kota e do t’i dallojë të sinqertët nga mashtruesit. Më pas, i Lartësuari thotë:
– “E kush është më i padrejtë se ai që trillon gënjeshtra ndaj Allahut për t’i devijuar njerëzit nga padija e tyre?“ – Njerëzit më të padrejtë janë ata të cilët mashtrojnë dhe shpifin rreth Allahut dhe shpalljeve të Tij, duke synuar devijimin e njerëzve nga rruga e drejtë. Ata sajojnë ligje, fe dhe besime të paurdhëruara nga Zoti dhe të pambështetura nga Ai me fakte dhe argumente, madje që janë në kundërshtim edhe me logjikën e pastër dhe të thjeshtë. Por Allahu i Lartësuar nuk ka për t’u dhënë sukses planeve të këtyre zullumqarëve, siç thotë më pas:
– “Pa dyshim, Allahu nuk i udhëzon keqbërësit.“ – Allahu i Lartësuar nuk i udhëzon ata të cilët nuk kanë synim tjetër, përveçse të shpifin rreth Tij, duke kaluar kështu çdo kufi.