Select Page

– “Kur Musai erdhi në kohën e caktuar dhe Zoti i foli atij, ai tha: “Zoti im! Më mundëso të të shoh!”” – Musai shkoi në vendin e caktuar pikërisht atëherë kur i kishte thënë Allahu i Madhëruar, i Cili i foli drejtpërdrejt, duke i shpallur urdhëresat dhe ndalesat e Tij. Në këto momente, Musai u përmallua dhe u pushtua nga një dëshirë shumë e fortë për të parë Zotin e Lartësuar, prandaj i tha: “Zoti im! Më mundëso të të shoh!” Por Allahu i Madhëruar i thotë:

– “Ai i tha: “Ti nuk mund të më shohësh Mua.” – Arsyeja është se Allahu i Madhëruar i ka bërë krijesat në këtë jetë që ata të mos kenë mundësi ta shohin Atë. Por kjo nuk do të thotë se ata nuk kanë për ta parë Allahun e Lartësuar as në jetën tjetër, në Xhenet. Madje, ka shumë tregues në Kur’an dhe në hadithet e sakta të Profetit (a.s) se banorët e Xhenetit do ta shohin Zotin e tyre të Lartësuar dhe Bujar, madje do të mrekullohen me këtë.

Kjo do të ndodhë sepse atje do të jenë me një krijim të ri, të plotë e të përkryer, që jo vetëm ta përballojnë, por edhe do të mrekullohen kur të shohin Allahun e Lartësuar. Për t’ia bërë të qartë këtë pamundësi, Allahu i Lartësuar i tregoi Musait shembullin me malin: domethënë, ashtu sikurse mali nuk qëndroi në këmbë, ashtu edhe ai nuk mund ta përballonte të shikonte në këtë jetë Allahun e Lartësuar:

– “Por shiko atë mal! Nëse ai mbetet në vendin e vet, atëherë, ti  do të më shohësh Mua”. – Shikoje malin i cili i përket kësaj bote: a do të jetë ai i qëndrueshëm kur Allahu i Lartësuar t’i  shfaqet? Madje, malit do t’i  shfaqet vetëm një pjesë e dritës së Allahut të Lartësuar. Nëse ai do të qëndrojë në këmbë, atëherë edhe ti  do të më shikosh Mua. Por kjo qe e pamundur, siç thotë Allahu i Lartësuar:

– “Por kur Zoti i tij iu shfaq malit, e thërrmoi dhe e bëri pluhur atë dhe Musait i ra të fikët.” – Kur Allahu i Lartësuar iu shfaq malit, e shndërroi atë në pluhur. Kjo ndodhi për shkak të përballjes me dritën e Allahut të Lartësuar. Ndërsa Musai, kur pa këtë fenomen madhështor dhe të frikshëm njëkohësisht, u rrëzua në tokë, pa ndjenja. Atëherë ai e kuptoi se, kur mali nuk rezistoi ta shikonte Allahun e Madhëruar, ai patjetër që nuk do t’ia arrinte kurrë. Kështu, Musai i kërkoi falje Zotit për atë kërkesë të nxituar që bëri:

– “Kur erdhi në vete, tha: “I lavdëruar qofsh, o Zoti im!” – Musai tha: “Subhaneke” – “I lavdëruar qofsh! I pastër nga çdo e metë je, o Zoti im!” Më këto fjalë, Musai madhëroi Allahun e Lartësuar dhe pastaj shprehu pendimin e vet:

– “Pendohem para Teje.” – Kërkoj falje për të gjitha gjynahet dhe, në mënyrë të veçantë, për kërkesën time të nxituar, o Zoti im.

– “Unë jam i pari ndër ata që besojnë.”” – Musai deklaroi kështu përtëritjen e besimit të tij, kur mësoi diçka që nuk e dinte para kësaj ngjarjeje. Vërtet Allahu i Lartësuar nuk ia realizoi kërkesën e nxituar Musait, i cili ishte i pushtuar nga dashuria për Të, por nga ana tjetër, vijoi t’i  jepte mirësi të shumta, të cilat ia kujton në vijim: