Select Page

 

Ne e dërguam Nuhun te populli i vet …Allahu i Lartësuar na tregon rreth rregullit dhe ligjit të Tij të urtë në dënimin e popujve që mohojnë të vërtetën. Ai na tregon se e dërgoi profetin Nuh (a.s) te populli i tij, që t’i ftonte ata në teuhid, pra, në adhurimin e Zotit si një të vetëm dhe t’i ndalonte nga idhujt dhe idhujtaria. Ai qëndroi mes tyre si profet e ftues në rrugën e drejtë për 950 vjet:

”… dhe ai qëndroi ndër ata një mijë vjet pa pesëdhjetë …Gjatë gjithë kësaj kohe, ai nuk rreshti së ftuari dhe asnjëherë nuk u plogështua gjatë këshillimit të tyre dhe përpjekjeve për t’i rregulluar. Ai vazhdoi t’i ftonte ata natën dhe ditën, fshehtazi dhe haptazi, por ata nuk e gjetën udhën e drejtë dhe nuk punuan të hapnin sytë. Ata vazhduan në kufrin dhe shfrenimin e tyre.

Atëherë, Nuhu (a.s) u lut kundër tyre, me gjithë durimin e tij të pashembullt dhe dhembshurinë e tij të rrallë. Ai tha: “O Zoti im! Mos lër mbi Tokë asnjë nga jobesimtarët! Nëse Ti i lë, ata do t’i largojnë adhuruesit e Tu dhe prej tyre do të lindin veçse të shfrenuar dhe jobesimtarë. O Zoti im! Më fal mua, fali prindërit e mi, ata që hynë në shtëpinë time si besimtarë dhe të gjithë besimtarët e besimtaret! Ndërsa jobesimtarëve shtoju veçse dëshpërim!”. [Nuh 26 – 28].

… por ata i përfshiu përmbytja, sepse ishin keqbërës.Ajo ishte një përmbytje e pashembullt, gjatë së cilës uji zbriti nga qielli dhe buroi nga toka me furi. Allahu thotë se ata ishin keqbërës, prandaj e merituan ndëshkimin.