Select Page

Nuk ka zot tjetër (të denjë për adhurim) përveç Meje.” – Allahut i takon i gjithë adhurimi. Ai është i vetmi i adhuruar me meritë, sepse Ai është i plotë e absolut në atributet e Tij, është i pakrahasueshëm dhe i vetëm në veprat dhe cilësitë e Tij. Ai nuk ka shembull, nuk ka të ngjashëm, as të barabartë e të njëjtë në emrat, cilësitë dhe veprat e Tij.

– “Pra vetëm Mua më adhuro dhe fale namazin rregullisht për të më kujtuar Mua!” – Vetëm Mua m’i përkushto të gjitha llojet e adhurimeve, ato të shfaqura haptaz dhe ato të fshehtat, ato që janë themele dhe ato që janë degëzime. Pastaj i Madhëruari thekson namazin, edhe pse për të na nxit më sipër në mënyrë të përgjithëshme. E përmend namazin veçmas, për shkak të vlerës dhe rëndësisë së tij të madhe. Ky lloj adhurimi është adhurimi ku marrin pjesë në harmoni zemra, gjuha dhe të gjithë gjymtyrët. Vëreni se si Allahu thotë: “… fale namazin për të më kujtuar Mua!”

Sigurisht, kujtimi i Allahut me zemër është qëllimi më i lartë. Ai është një adhurim zemre, përmes së cilit arrihet lumturia. Ajo zemër e larguar nga përmendja e Allahut do të jetë e privuar nga të gjitha të mirat; ajo është një zemër e shkatërruar tërësisht. Allahu ka përcaktuar shumë adhurime, qëllimi i të cilave është të kujtojmë Atë. Vetëm kështu mund të rregullohet zemra e njeriut. Nuk ka dyshim se adhurimi më i rëndësishëm për këtë qëllim është falja e namazit.

Allahu i Madhëruar thotë: “Lexoje atë që po të shpallet nga libri dhe fale namazin! Namazi të largon nga punët e shëmtuara dhe poshtërsitë. Përmendja e Allahut është më e rëndësishmja. Allahu di gjithçka që bëni ju.” [Ankebut 45]. Namazi të ndalon nga poshtërsitë dhe të këqijat dhe bën që ta kujtosh Allahun më shpesh me zemër. Kujtimi i Allahut me zemër është shumë herë më i rëndësishëm sesa thjesht largimi nga të këqijat. Këtë e sjell namazi. Me fjalë të tjera, dobia më e madhe që sjell namazi është kujtimi i Zotit. Kjo është një nga pjesët e teuhidit: Njësimi i Zotit në meritën e adhurimit. Merita e adhurimit është cilësi vetëm e Zotit, ndërsa krijesat duhet t’i shprehin Atij me përunjësi adhurimin e tyre.