Select Page

– “Ata u përçanë mes njëri-tjetrit vetëm pasi u erdhi e Vërteta, për shkak të zilisë mes tyre.” – Pasi i urdhëroi muslimanët që të unifikojnë radhët e tyre dhe të mos përçahen në fe, Allahu i Lartësuar i porosit ata që të mos vetëkënaqen e të mjaftohen thjesht me faktin që Allahu i Lartësuar u shpalli atyre një libër që shtjellon gjithçka dhe që është garanci për ruajtjen nga humbja. Arsyeja është se edhe ndjekësit e librave të mëparshëm hyjnorë fillimisht e kishin librin e Zotit të plotë në duart e tyre, i cili u jepte porosi dhe u siguronte bashkimin, nëse do të besohej dhe zbatohej ashtu si duhej. Por ata, përkundrazi, u përçanë mes njëri-tjetrit, për shkak të zilisë dhe urrejtjes që mbanin në zemrat e tyre. Ata ushqyen urrejtjen dhe smirën kundër njëri-tjetrit, prandaj mes tyre lindi armiqësia dhe kundërshtimi rreth të vërtetës. Kështu ata i përçanë radhët e tyre. Prandaj, jini të kujdesshëm, o muslimanë, që të mos gaboni, sikurse gabuan ata!

“Sikur të mos ishte vendimi i hershëm i Zotit tënd për t’i lënë deri në një afat të caktuar, çështja e tyre do të kishte përfunduar.” – Nëse nuk do të ishte vendimi i të Gjithëpushtetshmit për ta lënë në një afat ndëshkimin final, çështja e tyre do të kishte përfunduar. Por Allahu i Lartësuar, me mëshirën dhe urtësinë e Tij, ka vendosur që t’i lërë ata deri në afatin e caktuar.

  “Nuk ka dyshim se ata, që e kanë trashëguar deri tani Librin, kanë dyshime të thella për të.” – Edhe dijetarët që e trashëguan Librin hyjnor nga të parët e tyre janë në mospajtime dhe paqartësi të shumta, gjë kjo që sjell edhe përçarjen mes tyre. Nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Kjo e ka zanafillën tek të parët e tyre, të cilët u përçanë për shkak të urrejtjes dhe smirës që kishin në zemra. Në disa ajete të tjera, i Madhëruari tregon: “Për shkak se ata e thyen zotimin e dhënë, Ne i mallkuam ata dhe zemrat e tyre i bëmë të ashpra. Ata i ndryshuan fjalët (në Libër) nga domethënia e tyre dhe e braktisën një pjesë të madhe të asaj (shpalljes) me të cilën u këshilluan. Ti vazhdimisht do të vëresh tradhtinë e një pjese të tyre, përveç një pakice nga ata. Fali ata dhe, me butësi, tolero! Allahu i do ata që bëjnë mirë. Ne morëm zotimin edhe nga ata që thanë “Ne jemi nesara(pasues të Isait)”. Por edhe ata e harruan një pjesë të asaj (shpalljes) me të cilën u urdhëruan. Prandaj, Ne kemi hedhur ndërmjet tyre armiqësinë dhe urrejtjen midis njëri-tjetrit, deri në Ditën e Kijametit. Allahu do t’ua shpalosë se çfarë kanë bërë.” [Maide 13, 14]. Kështu, dyshimi dhe pasiguria në rrugën që ndjekin është cilësi që ata e trashëgojnë, dhe kjo, pa dyshim, do të bëjë që zemrat e tyre të jenë gjithmonë të përçara keqas.