– ”Ata i mohuan ato në mënyrë të padrejtë e me mendjemadhësi …” – Ata i mohuan ajetet e Allahut, duke e ditur që nuk kishin të drejtë.
– ”… edhe pse shpirtrat e tyre ishin të bindur për to (se ishin nga Zoti).” – Mohimi dhe refuzimi i tyre nuk ishte për shkak të ndonjë dyshimi e paqartësie nga ata, sepse ata kishin dije të plotë dhe siguri se ato shenja ishin të vërteta nga Zoti dhe se Musai ishte i sinqertë.
Kështu, ata me vetëdije po tregoheshin të padrejtë, duke shkelur mbi hakun e Zotit dhe të padrejtë me vetveten, duke zgjedhur me vetëdije ndëshkimin. Ata ishin të padrejtë edhe me robërit e Zotit, duke i penguar nga e vërteta. Gjithashtu, ishin të padrejtë edhe me Profetin e Zotit, prej hakut të të cilit është pasimi e bindja ndaj ftesës së tij.
– ”Dhe shikoje se si qe fundi i shkatërrimtarëve!” – Ky ishte ndëshkimi i atyre që përhapin shkatërrimin. Ai ishte më i keqi përfundim. Allahu i shkatërroi dhe i mbyti në det. Ai i poshtëroi dhe pasurinë dhe mbretërimin e tyre ua la popullit të përvuajtur, që ishin adhurues të Tij.