– “Thuaju: “A kërkoni të polemizoni me ne për Allahun” – Polemika (el meĥâxhxhetu) është një diskutim që zhvillohet mes dy palëve, për çështje mbi të cilat ata kanë mendime të ndryshme. Secila palë synon që të vërtetojë tezën e vet dhe të hedhë poshtë tezën e tjetrit, duke bërë maksimumin në grumbullimin e argumenteve dhe në trajtimin e tyre. Është e domosdoshme që polemika të zhvillohet në mënyrën më të mirë dhe më paqësore.
Gjatë saj, duhet synuar ndjekja e rrugës më të shkurtër për të hedhur poshtë qëndrimin e gabuar dhe për ta udhëzuar palën tjetër në qëndrimin e saktë. Polemikat kanë edhe një qëllim tjetër. Nëpërmjet tyre, u shpalosen faktet kryeneçëve, të cilët, me polemikat e tyre, nuk kanë për qëllim të zbulojnë të vërtetën, dhe kështu atyre u hiqet mundësia për t’u justifikuar para Krijuesit. Ata nuk do të mund të thonë se nuk e dinin. Polemikë e frytshme dhe e dobishme është ajo nëpërmjet së cilës kërkohet qartësimi i së vërtetës dhe hedhja poshtë e të gabuarës.
Ndërsa çdo polemikë që nuk e ka këtë qëllim, është thjesht tregues mendjemadhësie dhe dëshire për të shfaqur vetveten. Të tilla polemika nuk kanë mirësi, por ato sjellin veçse të këqija. Ithtarët e Librit pretendonin se ishin të përzgjedhurit e Zotit. Ata thonin se askush tjetër nuk i meritonte mirësitë e Zotit, pasi ata ishin të zgjedhurit e Tij, por Allahu i Lartësuar sqaron se ky qe një pretendim i kotë dhe i pabazuar.
– “… kur Ai është Zoti ynë dhe Zoti juaj?!” – Pra, nëse Zoti i të gjithëve është vetëm një, atëherë çfarë argumenti keni ju për të vërtetuar se Ai është vetëm Zoti juaj? A keni fakte që tregojnë se Ai përkujdeset veçse për ju? E vërteta është se të gjithë jemi të barabartë para Tij. Ndryshimi qëndron vetëm në veprat që ne bëjmë për Të.
– “Ne përgjigjemi për veprat tona, e ju përgjigjeni për veprat tuaja.” – Domethënë, secili prej nesh kryen punë me të cilat dallohet prej tjetrit. Allahu i Lartësuar i sheh veprat e secilës palë, ndërkohë që të dyja palët janë të barabarta para Zotit, përsa i përket llogaritjes së këtyre veprave. Të dyja palët kanë një Zot të vetëm dhe të dyja ato kryejnë punë, nëpërmjet të cilave kërkojnë të afrohen te Zoti i tyre.
Atëherë, ku qëndron ndryshimi mes dy grupeve? Ata që mëtojnë se ka ndryshim, duhet të sjellin argumente, ose, në të kundërt, kemi të bëjmë vetëm me një tezë të pavërtetuar, e cila nuk meriton vëmendje. Në fakt, ajo është veçse shprehje e mendjemadhësisë së tyre. I vetmi kriter dallues mes krijesave është sinqeriteti që ato tregojnë në adhurimin e Zotit të tyre. Të zgjedhurit e Zotit janë vetëm ata që pasojnë mësimet e vërteta të Tij dhe që e adhurojnë Atë si një të vetëm, me mënyrën që Ai e ka sqaruar nëpërmjet Profetit të Tij. I Lartësuari e tregon këtë cilësi të të përzgjedhurve, kur thotë:
– “Ne vetëm Atij ia përkushtojmë adhurimet tona.” – Të tillë janë të përzgjedhurit e Zotit. Ky është dallimi mes miqve të Rrahmanit dhe miqve të Shejtanit: sinqeriteti. Në varësi të kësaj vetie zhvillohen cilësitë e tjera të të dyja grupeve. Secila palë duket nga veprat që kryen. Siç u tha më lart, në këtë ajet jepet një mësim i mirë për metodën se si duhet të zhvillohet një polemikë. Kështu, gjatë saj, është e këshillueshme që të nxirren të përbashkëtat dhe të kundërtat e diskutuesve. Në këtë mënyrë, do të arrihet që, për të përbashkëtat, të bihet dakord, ndërsa për të kundërtat do të diskutohet me argumente të shëndosha, derisa të gjendet zgjidhja e duhur dhe e vërteta.