Allahu i Madhëruar përshkruan mendje-lehtësinë e idhujtarëve, të cilët refuzojnë Shpalljen e Tij. Ai i përshkruan ashtu siç janë në të vërtetë: injorantë dhe të palogjikshëm. Ai përmend disa nga trillimet e tyre pa mend, për të treguar humbjen e tyre të thellë dhe që ne të jemi të kujdesshëm e të ruhemi prej tyre. Kundërshtimi i të vërtetës së Zotit nga këta mendjelehtë nuk e cenon aspak madhështinë e kësaj të vërtete. Në fakt, ata nuk meritojnë të konsiderohen as si kundërshtarë, përballë të vërtetës madhështore dhe të shndritshme. Ja disa nga kotësitë e besimeve të tyre:
– “Nga të lashtat e nga kafshët shtëpiake që Ai ka krijuar, ata e ndanin një pjesë për Allahun dhe thoshin: “Kjo është për Allahun, ndërsa kjo është për idhujt tanë.”. – Prej mirësive që u dhuron Allahu i Lartësuar, ata veçojnë një pjesë për Allahun dhe një pjesë për idhujt e tyre. Në këtë mënyrë, ata bëjnë disa gabime: Së pari, është pretendimi i tyre i gënjeshtërt dhe i paturpshëm se janë duke i bërë pjesë Allahut të Lartësuar, a thua se Ai ka nevojë për bamirësinë e tyre.
Së dyti, ata u bëjnë pjesë idhujve, ndërkohë që nuk janë ata që i furnizojnë dhe u sjellin mirësi, por është Allahu i Madhëruar Ai që përkujdeset dhe u dhuron çdo mirësi që ata zotërojnë. Së treti, ata nuk i japin rëndësi pjesës që ia kushtojnë Allahut të Lartësuar, ndërkohë që kur bëhet fjalë për blatimet ndaj idhujve, janë tejet të kujdesshëm me to. Kur një pjesë e përkushtimeve të caktuara për Zotin kalon nga pjesa e idhujve, ata nuk i japin rëndësi, por kur një pjesë e idhujve kalon nga “pjesa” e Zotit, ata menjëherë e kthejnë në vendin “e saj”.
Kur Allahu i Lartësuar i begaton këta mosmirënjohës me prodhime bujqësore e bagëti, ata i ndajnë në dy pjesë: njërën pjesë për Allahun, por kjo është vepër pa vlerë, sepse Allahu i Lartësuar nuk i pranon veprat dhe përkushtimet që ndahen edhe për dikë tjetër veç Tij. Ndërsa pjesën tjetër e përcaktojnë për idhujt e tyre. Nëse nga “pjesa” e Allahut kalon diçka te pjesët e idhujve, ata nuk shqetësohen, por thonë: “Allahu është i pasur dhe s’ka nevojë për këtë”. E nëse ndodh e kundërta, ata nxitojnë ta kthejnë te pjesa e idhujve, duke thënë: “Ata janë të varfër dhe kanë nevojë, prandaj duhet t’ua kthejmë pjesën atyre”. Subĥânallâh! A ka gjykim më të poshtër dhe më të padrejtë se ky?!
– “Por, ajo që ishte për idhujt, nuk duhet të shkonte për Allahun, ndërsa ajo që veçohej për Allahun, mund të shkonte për idhujt e tyre! Sa i shëmtuar ishte gjykimi i tyre!” – Ata i trajtojnë blatimet ndaj idhujve si të rëndësishme, madje më të rëndësishme sesa kushtimet ndaj Allahut. Por ka mundësi që kuptimi i ajetit të jetë ai që tregohet në një hadith të saktë, ku Profeti (a.s) ka përcjellë nga Zoti i tij që ka thënë: “Unë jam më i Pasuri dhe më Jonevojtari për përkushtimet e idhujtarëve. Atë që përfshin dikë tjetër në përkushtimet dedikuar ndaj Meje, Unë e lë atë dhe idhujtarinë e tij.”
Duke parë nën dritën e këtij hadithi, kuptimi i ajetit do të ishte: Përkushtimet që ata u bëjnë idhujve të tyre shkojnë tërësisht për idhujt, ndërsa tek Allahu nuk shkon asgjë prej tyre. Edhe përkushtimet që ata, – sikurse pretendojnë, – ia bëjnë Allahut, edhe ato nuk shkojnë tek Ai, – sepse Allahu nuk e pranon idhujtarinë, – por shkojnë përsëri tek idhujt e tyre, që ata i adhurojnë veç Allahut. Allahu i Lartësuar është i Pasur dhe nuk i duhen përkushtimet e tyre të përziera me shirk.