Select Page

– “Prej fesë së Ibrahimit largohet veç ai që e nënçmon vetveten.” – Askush nuk mund të devijojë nga rruga e Ibrahimit pasi të ketë njohur dhe mësuar gjithë këto  të dhëna rreth cilësive të larta të tij, përveç atyre që e zhvlerësojnë veten, duke u kënaqur me këtë gjendje, ose veç ata që e shesin veten më lirë sesa i falimentuari shet mallin e vet. I parë anasjelltas,  ky ajet do të kuptohej kështu: Nuk ka njeri më të mirë, më të plotë, më të udhëzuar, sesa dikush që ndjek rrugën dhe fenë e Ibrahimit (a.s.), sepse Ibrahimi ishte i zgjedhuri i Allahut në dynja dhe ahiret.  I Lartësuari thotë më tej:

– “Ne, e dalluam atë në këtë botë …”. – Pra, Allahu i Lartësuar e përzgjodhi atë mbi njerëzit e tjerë, duke i dhënë sukses për të bërë punë të mira. Ai e udhëzoi atë që t’i kryente këto vepra, të cilat e bënë atë më të drejtin ndër më të dalluarit dhe ndër më të përzgjedhurit e Allahut.

– “… dhe në botën tjetër, ai do të jetë ndër të mirët.” – Në ahiret ai do të jetë prej të mirëve (sâliĥîn), të cilëve u takojnë gradat më të larta në xhenetet e përjetësisë. Ai e meritonte këtë gradë, sepse ishte i bindur e i nënshtruar.