– “Ne kemi shkatërruar shumë breza para jush, kur ata bënin padrejtësi. Edhe pse të dërguarit u erdhën me argumente të qarta, ata nuk besonin. Kështu i dënojmë Ne popujt që bëjnë padrejtësi.” – Allahu i Madhëruar na njofton se Ai i shkatërroi popujt e shkuar, për shkak të padrejtësive dhe kufrit të tyre, pasi u erdhën të qarta argumentet e Tij përmes profetëve dhe shpalljeve të Tij.
Atyre iu bë e qartë e vërteta e Zotit, e cila u përforcua me mrekulli të pamohueshme dhuruar profetëve, por ata përsëri nuk u nënshtruan për ta adhuruar Zotin dhe për të jetuar sipas Shpalljes së Tij. Ata nuk pranuan të besonin shpalljen e Zotit, prandaj mbi ta u bë i pashmangshëm dënimi i merituar për çdo kriminel që merr guximin të shpërfillë dhe të shkelë kufijtë e Zotit. Ky është ligji i Zotit, i zbatueshëm për të gjithë popujt.