Allahu i Madhëruar u kujton adhuruesve të Tij mirësitë e begatitë e mëdha, të cilat ua ka dhuruar atyre. Pa dyshim që mirësia më e madhe është qartësimi i të vërtetës dhe dallimi i saj nga e kota dhe humbja. Për të dalluar plotësisht këtë të vërtetë, Ai u sjell atyre shenja e argumente të shumta, që lexohen në gjithësi, në veten tyre dhe në Shpalljen e Tij. Kush i vështron dhe mediton mbi këto argumente nuk ka më asnjë dyshim në njohuritë e përftuara rreth të vërtetës. Kjo është mirësia më e madhe për robërit, sepse nuk i lë ata të çoroditur dhe të hutuar.
Allahu i Madhëruar ka sjellë një larmi argumentesh e shenjash, në mënyrë që çdokush të jetojë i qartë për mënyrën si jeton dhe të vdesë i qartë në atë që beson. Sa më e rëndësishme të jetë një çështje, aq më të mëdha, të shumta dhe të kuptueshme janë argumentet që Ai ka sjellë për të. Shih, për shembull, çështjen e teuhid-it në adhurim e në çdo aspekt tjetër. Duke qenë se ajo është ndër çështjet më të rëndësishme, madje më e rëndësishmja dhe më e madhja, edhe argumentet e sjella për të janë më të shumtat e më të shumëllojshmet, qofshin ato argumente logjike apo tekstuale fetare. Edhe në këtë sure, i Madhëruari përmend disa nga këto argumente e shenja:
– “Është Ai që ju tregon shenjat e Tij …” – Pas këtij njoftimi, Allahu i Madhëruar vijon të tregojë një nga shenjat e mëdha të Tij:
– “… dhe ju zbret riskun prej qiellit, …” – Kuptimi: Ai ju lëshon ujë nga qielli, me anë të të cilit siguroni jetën tuaj dhe të kafshëve tuaja. Kjo tregon se të gjitha mirësitë janë prej Allahut, si mirësitë e dynjasë, ashtu edhe ato të fesë e të besimit. Në mirësitë e fesë hyjnë njohuritë fetare, argumentet rreth besimit, veprat përkatëse, si dhe suksesi që Allahu u jep robërve për t’i realizuar të gjitha këto. Të dhuruara prej Tij janë, po ashtu, të gjitha mirësitë e dynjasë, që kryesisht e kanë origjinën nga uji, të cilin Allahu e zbret nga qielli për të gjallëruar tokën dhe njerëzit. Të gjitha këto tregojnë se Ai është i vetmi që meriton adhurimin dhe i vetmi të Cilit duhet t’i përkushtohesh tërësisht e me sinqeritet. Ashtu sikurse Ai është i vetmi që jep mirësi e përkujdeset për krijesat e Tij, Ai duhet të jetë i vetmi i Adhuruar.
– “… por askush nuk e kujton këtë, përveç atyre që kthehen tek Ai të penduar.” – Nga shenjat dhe argumentet që Zoti sjell përfiton veçse kjo kategori njerëzish: ata të cilët kthehen te Zoti të penduar e të përkushtuar ndaj Tij, me dashuri, drojë, bindje dhe përulje. Këta përfitojnë nga shenjat dhe argumentet e Zotit, të cilat janë për ta mëshirë dhe ndihmë për të parë më qartë rrugën e Zotit. Duke qenë se shenjat dhe argumentet e Allahut të bëjnë që ta përkujtosh Atë me madhështinë e Tij dhe meqenëse përkujtimi sjell sinqeritetin ndaj Tij, i Madhëruari vijon të nxisë për diçka që duhet të vijë natyrshëm te njerëzit që meditojnë mbi shenjat e Tij: