Select Page

Allahu i Madhëruar ka krijuar dhe shpërndarë nëpër tokë kafshë, bimë, pemë dhe gjallesa me ngjyra të ndryshme dhe me shumë dobi. Të gjitha ato janë shenja treguese për pushtetin e plotë të Allahut të Madhëruar, për bamirësinë e Tij gjithëpërfshirëse dhe për bujarinë e Tij të gjerë. Ato tregojnë se Ai është i vetmi që meriton të adhurohet dhe t’i përkushtohen të gjitha adhurimet si Një, i Vetëm dhe i Pashoq.

Por këto shenja u vlejnë veçse asaj kategorie njerëzish, për të cilët Zoti thotë: “… për njerëzit që kujtojnë.” Pra, për ata të cilët sjellin ndër mend gjithçka që u bën dobi. Ata përsiaten thellë për atë që Allahu i Lartësuar i fton dhe i nxit që të meditojnë. Ata i kujtojnë vetes se për çfarë janë argument këto shenja të mëdha të Allahut të Lartësuar dhe çfarë tregojnë ato.