– “Bubullima e madhëron Atë me lavdinë e Tij; e po kështu bëjnë edhe melekët, nga frika ndaj Tij.“ – “Er–rad” quhet zëri i fuqishëm i bubullimës, që buçet nga mesi i reve dhe që është shumë i frikshëm. Kjo bubullimë është e nënshtruar ndaj Zotit dhe ajo e madhëron Atë në këtë mënyrë kaq madhështore. Edhe melekët, – sikurse thuhet në ajet, – bëjnë tesbih, duke deklaruar pastërtinë e Zotit nga çdo mangësi. Ata bëjnë tesbih nga frika e madhe që kanë prej Zotit dhe prej ndëshkimit të Tij. Pastaj Allahu i Lartësuar, për t’i frikësuar robërit e Tij dhe për të treguar madhështinë e Tij, thotë:
– “Është Ai që i dërgon rrufetë dhe godet me to kë të dojë dhe ata (idhujtarët) që guxojnë të polemizojnë rreth Allahut, kur Ai është një ndëshkues i ashpër.“ – Rrufeja është drita e fuqishme dhe përvëluese, që del nga mesi i reve. Allahu i Lartësuar na tregon se, me këtë krijim të Tij, Ai godet çfarë të dëshirojë. Për këtë arsye, le të frikësohen robërit nga i Madhërishmi, të Cilit i janë nënshtruar gjithçka në qiell dhe në tokë, se Ai është “Shedidul Mihal”, që do të thotë: i Plotfuqishëm dhe asgjë nuk mund ta ndalojë atë që Ai dëshiron.
Për Allahun nuk është e vështirë asgjë dhe ndëshkimit të Tij nuk mund t’i shpëtojë a shmanget askush. Allahu i Madhëruar është i vetmi që ka fuqinë të krijojë retë dhe të dhurojë shiun, burimin e ujit, që është jetik për krijesat. Është Ai që administron dhe rregullon çështjet e krijesave. Allahut i nënshtrohen me frikë edhe krijesat më të mëdha, nga të cilat njerëzit tmerrohen. Ai është i Fuqishmi, Nënshtruesi dhe Mposhtësi i gjithçkaje. Duke qenë se këto janë cilësitë e Tij, Allahu është i vetmi që meriton të adhurohet pa shok.