Select Page

“Ai ka caktuar për ju si fe …” – Feja është mirësia më e madhe që Allahu u ka falur adhuruesve të Tij. Ai ka caktuar për ta fenë e përkryer, të mrekullueshme, më të pastrën dhe më të ndriturën. Kjo është feja Islame, të cilën Ai ua ka falur më të zgjedhurve dhe më të mirëve ndër adhuruesit e Tij. Madje, Allahu na tregon se kjo fe e ndritur ka qenë po ajo që Ai ua dhuroi edhe më të zgjedhurve ndër më të zgjedhurit, që ishin pesë profetët e Tij, emrat e të cilëve përmenden në këtë ajet.

“… atë me të cilën urdhëroi Nuhun, atë që ta shpalli ty, si dhe atë me të cilën e patëm urdhëruar Ibrahimin, Musain dhe Isain.” – Islami është feja e krijesave më të zgjedhura dhe më të larta. Pa dyshim, për këta njerëz të mrekullueshëm Allahu i Lartësuar do të zgjidhte fenë më të mrekullueshme. Madje, kjo fe do të ishte ajo që do të përkryente madhështinë e tyre. Pa Islamin, askush nuk do të lartësohej dhe nuk do të rregullohej. Islami është shtëpia e lumturisë dhe baza e përsosmërisë. Islami është pikërisht feja që na mëson ky libër i shenjtë, Kur’ani. Ai na fton që ta njësojmë Allahun e Lartësuar, të punojmë sipas porosive të Tij dhe të pajisemi me moralin që ai na mëson.

(Porosia ishte) Nënshtrohuni në fenë e drejtë …” – Allahu i Lartësuar urdhëron që të zbatohen të gjitha ligjet dhe dispozitat e fesë, themelore apo jo qofshin ato. Ai urdhëron që të zbatojmë fenë në veten tonë dhe të përpiqemi sa më shumë për bamirësi ndaj njëri-tjetrit, duke bashkëpunuar për vepra të mira dhe jo për gjynahe dhe armiqësi.

– “…dhe mos u përçani në të!” – Synimi ynë të jetë gjithmonë uniteti, si për çështjet themelore të fesë, edhe për degëzimet e saj. Nuk duhet të na përçajnë çështjet ku kemi mendime të ndryshme. Nuk duhet të bëhemi armiq të njëri-tjetrit, ndërkohë që themeli ynë i përbashkët është Islami, njëjësimi i Allahut në adhurim dhe ndjekja e Traditës së Profetit (a.s.). Disa nga adhurimet apo ritet fetare që na ftojnë në bashkim janë haxhi, bajramet, namazet me xhemat, xhihadi etj., të cilat nuk janë të plota nëse besimtarët nuk grumbullohen bashkë për t’i kryer ato.

– “Për idhujtarët është e rëndë ajo në të cilën ju i ftoni.” – Kuptimi: Për idhujtarët janë shumë të vështira ato gjëra në të cilat ti i fton. Kështu, ti i fton ata që të jenë të sinqertë në adhurimin e Allahut si Një të vetëm dhe të largohen nga adhurimi i çdo gjëje tjetër veç Tij. Njësimi i Zotit në adhurim dhe largimi nga idhujtaria është diçka shumë e vështirë për ta, sikurse thotë i Madhëruari në ajete të tjera: “Kur përmendet Allahu, Ai që është Një dhe i Vetëm, zemrat e atyre që nuk besojnë në Jetën Tjetër mbushen me neveri (e pakënaqësi). Por, kur përmenden të tjerë, përveç Tij, ja, ata mbushen me gëzim.” [Zumer 45]. “A po i zëvendëson zotat me një Zot të vetëm?! Kjo është vërtet, shumë e çuditshme.” [Sad 5]

– “Allahu përzgjedh për këtë (fe) atë që Ai do …” – Allahu i Urtë dhe i Gjithëditur përzgjedh mes krijesave të Tij atë që meriton të zgjidhet, për të bartur Shpalljen e Tij dhe për t’u bërë i zgjedhuri dhe i dashuri i Tij. Nga kjo kuptohet se është pikërisht Allahu i Urtë dhe i Gjithëditur Ai që e përzgjodhi dhe e dalloi këtë umet mbi të gjithë umetet e tjera dhe përcaktoi për ta fenë më të mirë dhe më të plotë.

“… dhe e udhëzon në të atë që i kthehet Atij.” – Fjala është për kthimin tek Allahu i Lartësuar me pendesë dhe me sinqeritetin për t’iu bindur Atij. Është pikërisht kjo që kërkohet prej robit, nëse dëshiron të udhëzohet. Nëse robi pendohet sinqerisht tek Allahu, ai do të mund ta gjejë udhëzimin e plotë, që është dhuratë prej Allahut të Lartësuar. Nëse robi kthehet tek Zoti i tij, duke u penduar sinqerisht për gabimet e tij dhe me angazhimin për të bërë çdo gjë që e kënaq Allahun, atëherë ka bërë kthim të vërtetë tek Zoti i tij. Sinqeriteti i robit në qëllimin e tij për të arritur udhëzimin e vërtetë të Zotit dhe përpjekjet e mjaftueshme për arritjen e tij, janë nga shkaqet më të mrekullueshme që e lehtësojnë dhe e bëjnë të mundur arritjen e udhëzimit. Për hir të përpjekjeve të sinqerta të robit, Allahu i Lartësuar i dhuron atij udhëzimin e plotë, të cilin nuk mund t’ia japë askush tjetër veç Allahut. Në një ajet tjetër, i Lartësuari thotë: “Allahu udhëzon nëpërmjet tij në rrugët e shpëtimit ata që kërkojnë kënaqësinë e Tij dhe i nxjerr ata prej errësirave në dritë, me Lejen e Tij. Ai i udhëzon ata në një Rrugë të Drejtë.” [Maide 16]. Pra, jo çdokush që lexon Kur’anin mund të gjejë rrugën e drejtë dhe udhëzimin e plotë. Udhëzimin e vërtetë e gjejnë vetëm ata që Zoti ua dhuron atë, pas përpjekjeve të tyre të sinqerta për t’u penduar dhe për t’iu bindur të Gjithëditurit e të Urtit.162  Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar thotë: “…dhe e udhëzon në të atë që i kthehet Atij.”. Ndërsa në një ajet tjetër, i Lartësuari urdhëron e thotë: “… ndiqe rrugën e atyre që janë kthyer tek Unë!” Duke qenë se sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ishin njerëzit që bënë kthimin më të plotë dhe më të sinqertë tek Allahu, këto ajete na japin të kuptojmë se qëndrimet dhe gjykimet e sahabëve janë baza mbi të cilat mund të ngresh gjykime fetare, sidomos kur flitet për Katër Kalifët e Drejtë, për pasimin e të cilëve na ka urdhëruar edhe Profeti a.s. shprehimisht kur ka thënë: “Ndiqni udhëzimin tim dhe të kalifëve të drejtë pas meje!..”163

162Nuk ka dyshim se Allahu i madhërishëm është Krijuesi dhe Sunduesi i krijesave. Nuk ndodh asgjë në qiell dhe në tokë pa lejën dhe përcaktimin e Tij të urtë dhe të drejtë. Nuk ka dyshim gjithashtu edhe se udhëzimi është dhurata më e mirë që i Gjithëmëshirëshmi u ka dhuruar njerëzve. Udhëzimi është dhuratë e të madhërishmit të cilën Ai e dhuron i bazuar në dijen e Tij absolute dhe urtësinë e Tij hyjnore. Thotë i Urti: “…por është Allahu Ai që jua bën të dashur besimin dhe jua zbukuron atë në zemrat tuaja, ndërsa mosbesimin, shfrenimin dhe kundërshtimin, jua bën që t’i urreni. Këta dhe vetëm këta janë të udhëzuarit (në Rrugën e Drejtë). Kjo është mirësi (e dhuruar) prej Allahut. Allahu është i Gjithëditur e i Urtë.  Huxhurat 7, 8. Ai e di më mirë se kush e meriton udhëzimin e Tij dhe kush jo. Allahu i lartësuar askujt nuk i bën padrejtësi dhe është e papranueshme që, dikush të dojë rrugën e drejtë dhe i Gjithmëshirëshmi ta devijojë atë nga rruga e drejtë. Por i madhërishmi është i Drejtë dhe nuk është e pranueshme që Ai të gjykojë njëlloj si mirënjohësit e bindur ndaj Tij ashtu edhe përbuzësit e mirësive që shkelin dhe shpërfillin Kufijt e Tij. Thotë i lartësuari:  “Mos vallë, do t’i trajtojmë njëlloj ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira me ata që bëjnë shkatërrime në tokë? Apo mos vallë do t’i konsiderojmë njëlloj si të devotshmit dhe ata që janë gjynahqarë?” Sad 28. Dhe thotë: “Është e sigurt se për të devotshmit do të ketë kopshte të begatshme te Zoti i tyre. A do t’i konsiderojmë keqbërësit njëlloj si muslimanët?! Ç’është me ju? Si gjykoni ashtu?! A mos keni ndonjë libër, nga i cili mësoni se ju do të keni atje çka të dëshironi?! A mos keni ndonjë zotim të madh prej Nesh, që vazhdon deri në Kijamet, se do ta arrini atë që gjykoni dhe dëshironi?!” Kalem 34-39. Allahu i lartësuar me urtësinë dhe drejtësinë e Tij absolute na ka njoftuar se pengesë për udhëzimin e plotë janë disa gjëra. Për ne është detyrë që të ruhemi prej tyre që të mos bëhemi shkak dhe pengesë që Ai të na dhurojë udhëzimin e Tij të plotë. Prej këtyre shkaqeve ndër më të rëndësishme janë: Dhulmi (padrejtësia) me të gjitha llojet e saj, fisku shfrenimi dhe shkelja e kufijve të Zotit, shpërfillja e ftesës së Allahut dhe porosive të Tij. Për këto i madhëruari thotë: “Allahu nuk e udhëzon në udhën e drejtë një popull të pa drejtë” (dhulmi). Thotë gjithashtu: “Allahu nuk e udhëzon në udhën e drejtë një popull të shfrenuar (që shkel kufijtë e zotit)”. Dhe thotë i lartësuari: “Por kur ata devijuan, edhe Allahu ua devijoi zemrat. Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë një popull që kalon kufijtë.” Saf 5. Allahu i lartësuar ka përcaktuar si udhëzues Kur’anin famëlart dhe na ka njoftuar se vetëm ai që e mori udhëzimin dhe dritën prej tij është i udhëzuar në rrugën e drejtë. Ai e ka lehtësuar këtë Kur’an për të marë mësim, por jo të gjithë përfitojnë prej udhëzimit të tij. Kështu pra udhëzimi i Allahut të lartësuar për krijesat është dy llojesh: udhëzim i përgjithshëm dhe udhëzim i posaçëm. Përsa i përket udhëzimit të përgjithshëm (qartësimin dhe sqarimin e të vë vtetës) Allahu i lartësuar atë ua ka ofruar të gjithëve, ndërsa udhëzimin e posaçëm nuk ia dhuron veçse atyre të cilët i përzgjodhi mes krijesave të Tij, i përzgjodhi me dijen e Tij absolute dhe urtësinë e Tij hyjnore. Për të fituar udhëzimin e plotë apo të posaçëm Allahu i lartësuar na ka mësuar se si të lutemi dhe këtë lutje e ka bërë të detyrueshme në çdo namaz. Ajo është lutja në zemër të sures Fatiha. Në varësi të çiltërsisë, sinqeritetit dhe përkushtimit të robit në këtë lutje do të jetë edhe suksesi që Zoti do ti japë atij dhe Zoti i madhërishëm është shumë më Bujar se lutjet tona. Kjo pra është pjesa e robit: lutje e sinqertë për të fituar udhëzimin e posaçëm ashtu sikurse të mësoi Krijuesi të lutesh. Allahu i lartësuar thotë në një hadith Kkudsij: “O robërit e Mi! Të gjithë ju jeni të humbur përveç atyre që unë i kam udhëzuar. Kërkojeni udhëzimin prej meje, që t’ju udhëzoj”. E pra, Allahu i lartësuar të gjithëve u ka dhënë mundësinë dhe aftësinë që të luten dhe të kërkojnë prej tij. Por dikush kërkon të mirën dhe udhëzimin dikush tjetër kërkon këtë dynja dhe plotësimin e dëshirave të tij ne të. Allahu askujt nuk i bën padrejtësi, por janë krijesat që me injorancën dhe nxitimin e tyre kërkojnë padrejtësinë. Le të sjelli këtu një fjalë të shejhul islam Ibnu Tejmije rreth rrëndësisë së kësaj lutjeje dhe nevojës së robit për të. Shejhul islam thotë: “Ajo dua që është bërë e detyrueshme gjithmonë në çdo namaz, madje në çdo rekat namazi, farz apo nafile qoftë ai, është pikërisht duaja brenda fatihasë, nënës së Ķur’ânit. Allahu i lartësuar na mëson që të lutemi dhe të themi:Na udhëzo në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre të cilët i begatove, jo në rrugën e atyre që merituan Zemërimin dhe as në rrugën e të humburve.” Ai na udhëzon dhe porosit që të lutemi me këtë lutje sepse çdo njeri, çdo rob, është i varfër dhe ka nevojë të domosdoshme për atë që synon të realizojë kjo dua, pra për udhëzimin në rrugën e drejtë. Nuk mund të shpëtosh nga ndëshkimi dhe trishtimi veçse nëpërmjet kësaj duaje dhe nuk mund të arrish lumturinë veçse nëpërmjet saj. Ai të cilit i shpëtoi ky udhëzim do të jetë ose nga ata që merituan zemërimin e Zotit, ose nga ata që humbën rrugën dhe devijuan larg të vërtetës. Ky udhëzim nuk mund të egzistojë veç nëse e mundëson dhe e dhuron Allahu i urtë dhe i Gjithëditur. Thotë i lartësuari duke e vërtetuar këtë fakt: “Atë që e udhëzon Allahu, ai është i udhëzuar dhe atë që Ai e lë në humbje, ti nuk do të gjesh për të asnjë Mbështetës që do ta çonte në Rrugën e Drejtë.” Kehf 17. Në këtë ajet ka argument të qartë që hedh poshtë medhhebin e ķaderij-jeve të cilët pretendojnë se robi nuk ka nevojë për këtë udhëzim që e jep vetëm Zoti. Ata pretendojne se robi mund të udhëzojë vetveten pa pasur nevojë për udhëzimin e Allahut të lartësuar. Pra robi sipas tyre është i plotpushtetshëm për të arritur edhe bindjen ndaj Zotit edhe për të mos iu bindur Atij dhe për këtë nuk ka asnjë nevojë që Zoti ta udhëzojë. Sipas tyre të gjithë janë njëlloj përsa i përket udhëzimit që marin prej Zotit dhe Ai nuk i ka dalluar besimtarët me ndonjë udhëzim të posaçëm vetëm për ta. Por këtë temë e kemi shtjelluar në tjetër vend. Këtu kemi si qëllim të vërtetojmë faktin se çdo rob është gjithmonë i varfër dhe nevojtar që t’i ofrohet dhe mundësohet ky lloj udhëzimi. Disa thonë: “Besimtarët që Zoti i udhëzoi të besojnë nuk kanë më nevojë që të kërkojnë udhëzimin prej Tij. Të tjerë i përgjigjen kësaj duke thënë: Kur lutemi për udhëzim, ne në të vërtetë, thjesht kërkojmë forcimin e këtij udhëzimi të dhënë nga Zoti”. Por si vërejtja dhe përgjigja nuk janë të drejta dhe të plota. Të dyja ato tregojnë për paditurinë e tyre për gjendjen e njeriut dhe asaj me çfarë ai është urdhëruar. Ŝirâŧul musteķîm rruga e drejtë shfaqet apo interpretohet duke kryer në çdo kohë dhe moment të jetës ato vepra dhe për të folur ato fjalë, për të cilat je urdhëruar dhe të largohesh nga çdo punë e fjalë prej së cilave je ndaluar. Rruga e drejtë nuk mund të realizohet derisa të robit t’i lindë një dëshirë e fortë për të punuar ato për të cilat urdhërohet dhe t’i lindë një urrejtje e fortë e mjaftueshme për tu larguar nga ato prej të cilave ndalohet. Kjo është ajo dija e shtjelluar dhe dëshira për të vepruar. Por kjo dije dhe kjo dëshirë nuk mund të përfytyrohet që të ndodhë përnjëheresh dhe në një moment të vetëm. Madje në çdo moment robi ka nevojë që Allahu i lartësuar të vendosë në zemrën e tij ato lloj njohurish dhe dëshirash (ambicje) për të zbatuar dhe punuar me atë dije në atë moment. Po. Është e vërtetë që me pranimin e islamit ai ka arritur një nivel udhëzimi të përgjithshëm dhe dije të përgjithshme rreth faktit që Ķur’âni është ĥaķ, feja islame është ĥaķ, profeti i islamit është ĥaķ, etj si këto çështje të përgjithshme. Por ky udhëzim (dije dhe ambicje) i përgjithshëm shpesh herë nuk është i mjaftueshëm nëse atij nuk i dhurohet një udhëzim i shtjelluar në çdo çështje që atij i del para në jetën e tij, çështje në të cilat shumë krijesa devijojnë dhe çoroditen. Nëse nuk të ofrohet udhëzimi (dija dhe ambicja) i posaçëm do të mbizotërohesh nga epshet (dëshirat e shfrenuar dhe të devijuara) dhe dyshimet. Sepse dyshimet dhe epshet (dëshirat e shfrenuara) e mbizotërojnë zemrën e robit dhe kjo është natyra e tij gabimtare. Njeriu u krijua đhalûmen xhehûlâ i pa drejtë dhe i pa ditur. Pra ai është i orientuar dhe i prirur që të jetë i pa ditur dhe të anojë drejt plotësimit me çdo kusht të dëshirave qoftë edhe sikur të jenë të orjentuara drejt së keqes (sherrit). Pra duke qenë me një natyrë të tillë ai gjithmonë ka nevojë për një udhëzim të posaçëm që të largojë paditurinë e tij si dhe për një ambicje dhe dëshirë të fortë për drejtësi që të ekuilibrojë ndjenjat dhe veprimet e tij, të vendosë një raport të drejtë mes dashurisë dhe urrejtjes, kënaqësisë dhe zemërimit, veprimit dhe lënies (mos veprimit), dhënies dhe mos dhënies. Madje ai ka nevojë për një rregullator që ta ekuilibrojë atë në gjithçka që duhet të flasë dhe veprojë në këtë jetë dhe ta shpëtojë nga tendenca shumë e fuqishme e tij drejt đhulmit padrejtësisë. Nëse Allahu i urtë dhe i Gjithëditur nuk e pajis atë me dije dhe drejtësi të posaçme dhe të detajuar, në çdo moment të jetës së tij, ai pakthyeshmërisht do të anojë drejt natyrës së tij të padrejtë dhe të paditur dhe kjo do ta largojë nga ŝirâŧul musteķîm rruga e drejtë. …” Mexhmuatul fetaua vëll 22.

163“Ruga e drejtë është pasimi i Kur’anit e Sunetit sipas metodologjise së sahabëve dhe brezave të parë të ummetit islam.