– “Zoti ynë! Dërgo ndër ta një të dërguar nga gjiri i tyre, që t’u lexojë atyre ajetet e Tua,” – Ata i kërkuan Allahut të Lartësuar që Ai të dërgonte nga mesi i pasardhësve të tyre një profet. Kjo ndodhi për disa arsye, si:
– që grada e Ibrahimit dhe e Ismailit të lartësohej edhe më shumë;
– që pasardhësit t’i nënshtroheshin dhe ta pasonin rrugën e atij Profeti që do të vinte, duke e njohur mirë atë;
– që ai Profet t’u mësonte atyre ato gjëra që nuk do t’i dinin. I Lartësuari thotë:
– “… që t’u lexojë atyre ajetet e Tua …” – Domethënë, që t’ua lexojë tekstin fjalë për fjalë, t’ua mësojë atë përmendësh, dhe pastaj t’i mësojë se si ta ruajnë e zbatojnë atë që do të mësojnë.
– “… t’u mësojë atyre Librin (Kur’anin) dhe Urtësinë (Traditën profetike), …” – Pra, t’u mësojë dhe sqarojë atyre kuptimin e Kur’ânit dhe të Urtësisë (Sunetit).
– “… dhe t’i pastrojë ata.” – T’i pastrojë duke i edukuar që të punojnë punë të mira dhe të largohen nga çdo punë e fjalë e keqe të cilat nuk i lenë shpirtrat të pastrohen dhe të lartësohen.
– “Ti je Ngadhënjimtari dhe i Urti.” – Ngadhënjimtari (El Azîzu) është Ai i Cili i mposht dhe nënshtron gjithçka, i Cili është i plotfuqishëm për gjithçka dhe që para fuqisë së të Cilit, askush nuk mund të qëndrojë. Ndërsa i Urti (El Hakîmu) është Ai i Cili i vendos gjërat në vendin që e meritojnë. Kështu, ata iu lutën Allahut, që ka këto cilësi, që ta dërgonte këtë Profet mes tyre, ashtu siç di të zgjedhë Ai që është i madhëruari, Ngadhënjimtari, i Urti.
Allahu i Lartësuar iu përgjigj lutjes së tyre dhe e dërgoi Profetin e nderuar, nëpërmjet të cilit Ai mëshiroi, në mënyrë të veçantë, pasardhësit e Ibrahimit dhe Ismailit, dhe të gjitha krijesat, në përgjithësi. Për këtë arsye, edhe Profeti (a.s.) ka thënë: “Unë jam fryt i lutjes së babait tim, Ibrahimit (a.s.).”.