– “Sikur të mos ishte vendimi dhe afati i caktuar më herët nga Zoti yt, edhe këta do t’i kapte i njëjti dënim (si popujt e shkuar).“ – Ky ishte një ngushëllim për Profetin dhe, gjithashtu, një porosi për të qenë i duruar, që të mos kërkonte shkatërrimin e mohuesve të së vërtetës. Në fakt, thjesht mohimi i së vërtetës është shkak i mjaftueshëm i dënimit.
Allahu na ka treguar se ndëshkimet shkaktohen nga gjynahet. Edhe ata e kishin mbushur kupën, por ndëshkimi nuk po u vinte sepse nuk ishte plotësuar ende afati që Allahu kishte vendosur për ta. Mbase ata e reflektonin, mbase pendoheshin, dhe kështu Allahu e largonte ndëshkimin që ishte përgatitur për ta. Më pas, nëse vjen koha e zbritjes së dënimit, asgjë nuk e kthen apo pengon atë.