Select Page

– “A nuk është paralajmërim për ata (që të kujtojnë) se sa e sa  breza para tyre i kemi shkatërruar, nëpër vendbanimet e të cilëve (tani) janë duke ecur? Sigurisht, në këtë ka Argumente për ata që kanë arsye të shëndoshë.” – Allahu i Madhëruar solli në Kur’an historitë e shumë popujve të shkuar, të cilët Ai i ndëshkoi për mosbesimin dhe për shpërfilljen e të vërtetës. Allahu i Madhëruar shtron një pyetje, që duhet t’i bëjë njerëzit të mendojnë: A nuk nxjerrin mësim këta mohues të së vërtetës nga historia e popujve të ndëshkuar, të cilëve ua njohin mirë historinë dhe vendbanimet? Të tillë ishin populli i Hudit, Salihut, i Lutit etj. A nuk nxjerrin mësime nga ato histori dhe të pasojnë rrugën e Zotit, duke u larguar nga rruga e shkatërrimit?

Të gjithë popujt e shkuar, kur refuzuan të dërguarit dhe iu kthyen shpinën shpalljeve, u dënuan me ndëshkime të dhembshme. Atëherë, pse janë të sigurt këta që nuk i godet i njëjti ndëshkim, siç i goditi ata të tjerët?! Zoti thotë: “Vallë, jobesimtarët tuaj janë më të vlefshëm se ata që u përmendën, apo keni ndonjë premtim shpëtimi në Librat e qiellit? Mos, vallë, po thonë: “Ne jemi një grup, të bashkuar dhe ngadhënjyes?!” Ai grup shpejt do të pësojë disfatë dhe ata do të ikin me të shpejtë (të tmerruar). Por Kijameti është premtim i pakthyeshëm për ta. Kijameti është edhe më i vështirë, edhe më i hidhur.” [Kamer 43 – 46].

Këta mohues nuk janë aspak më të mirë se ata të popujve të shkuar, që të mendojnë se mund t’i shpëtojnë ndëshkimit të Allahut. Madje këta të sotmit janë më të këqinj se ata, sepse këta kanë mohuar Profetin më të zgjedhur dhe Librin më të rëndësishëm dhe madhështor të Zotit. Gjithashtu, këta nuk kanë ndonjë premtim të dhënë nga Zoti se do të jenë të ruajtur nga ndëshkimi. As pretendimi i tyre i mjerë se ushtritë dhe aleatët e shumtë që kanë do t’i mbrojnë nga dënimi i Allahut nuk është i vërtetë. Madje, ata janë shumë më të poshtëruar dhe të nënçmuar.

Kështu, shkatërrimi i popujve të shkuar për gjynahet dhe mohimin e tyre konsiderohet si një nga shkaqet e udhëzimit, nëse njeriu do të dinte të nxirrte mësime, sepse ato konsiderohen si shenja treguese për vërtetësinë e shpalljeve të Zotit dhe të profetëve të Tij. Ato tregojnë, gjithashtu, ligësinë dhe humbjen e atyre popujve mohues. Por jo çdo njeri përfiton nga shenjat dhe shpalljet e Allahut. Nga ato përfitojnë veçse të mençurit dhe të diturit, ata që dinë të kuptojnë e të mendojnë me ftohtësi e drejtësi, ata që kanë mendje të shëndoshë dhe natyrë të papërlyer.