Select Page

– “Sa herë që zbret ndonjë sure, ata shikojnë njëri-tjetrin në sy e thonë: “A ju pa ndokush?” Pastaj largohen.” – Munafikët trembeshin se mos zbriste ndonjë sure që do t’u nxirrte të palarat në shesh, prandaj, kur shpalleshin ajetet që nxisin për të besuar dhe për të zbatuar porositë e Zotit, ata vështronin njëri-tjetrin, të vendosur për të dredhuar dhe duke u munduar t’u fshiheshin shikimit të besimtarëve. Ata i thoshin njëri-tjetrit: “A ju pa ndokush?” E pastaj largoheshin tinëz, me mosbesimin ndaj Shpalljes. Edhe i Madhëruari i ndëshkoi sipas veprës së tyre të poshtër.

– “Allahu ua ka larguar zemrat (nga drita), sepse ata qenë njerëz që nuk kuptonin.” – Ashtu sikurse ata iu shmangën zbatimit të porosive të Zotit, edhe Ai ua shmangu zemrat nga e vërteta dhe nuk ua mundësoi që ta shihnin e pranonin atë. Ky ishte ndëshkimi për ta dhe për të ngjashmit e tyre, sepse ishin njerëz që nuk kuptonin. Nëse vërtet do të arsyetonin drejt dhe do të kuptonin suret e Kur’anit, ata do të besonin dhe do të nënshtroheshin për të jetuar sipas tyre. Ajetet tregojnë se sa shumë e urrejnë munafikët xhihadin, ligjet e Zotit dhe veprat e imanit të vërtetë. Në një ajet tjetër, i Madhëruari thotë për ta: “…kur shpallet ndonjë sure e qartë, që flet për luftë, ata me zemër të sëmurë, të shikojnë sikur të ishin në agoninë e vdekjes.” [Muhamed 20].