Select Page

– “Dhe kujtoni kur Ibrahimi tha: “O Zoti im! Bëje këtë një qytet të sigurt! Furnizoji banorët e tij që besuan Allahun dhe jetën tjetër me fruta të shumëllojshme!”” – Kjo ishte lutja që Ibrahimi (a.s.) bëri për këtë vend. Ai u lut që Allahu i Lartësuar ta bënte atë një vend të sigurt dhe t’i furnizonte banorët e tij me lloje të shumta mirësish e frutash. Më pas, Ibrahimi (a.s.) e veçoi duanë për besimtarët, duke treguar në këtë mënyrë një edukatë të lartë ndaj Allahut të Lartësuar.

Në fillim, Ibrahimi (a.s.) u lut për të gjithë pasardhësit e tij, por Allahu i Lartësuar ia kufizoi lutjen, duke përjashtuar të padrejtët. Ndërsa kur u lut për furnizimin e banorëve të Qabes, ai e kufizoi këtë lutje vetëm për besimtarët. Por dihet që furnizimi i Allahut është gjithëpërfshirës, si për qafirët, edhe për besimtarët, si për të bindurit dhe për të pabindurit. Prandaj i Madhëruari thotë:

– “Ai (Allahu) tha: “Edhe atij që nuk beson, do t’ia mundësoj kënaqësinë e furnizimit Tim për një kohë të shkurtër.” – Kuptimi: Unë do t’i furnizoj të gjithë, muslimanët dhe qafirët. Por muslimanët, furnizimin Tim do ta përdorin për punë të mira, për të adhuruar Allahun e Lartësuar. Dhe, në fund, ata do të kthehen për të shijuar mirësitë e Xhenetit. Ndërsa qafirët do të shijojnë mirësitë e Mia gjatë kësaj jete të shkurtër, por pastaj:

– “Por, pastaj, do ta flak në dënimin e Zjarrit …”. – Do ta zhys atë me detyrim, duke e poshtëruar në një ndëshkim të madh, në zjarrin e Xhehenemit.

– “Sa përfundim i shëmtuar është ai!” – Ky është përfundimi më i keq.