– “Kur u vjen ndonjë shenjë (nga Allahu), ata thonë: “Nuk kemi për të besuar, derisa neve të na jepet diçka e ngjashme me atë që u është dhënë të dërguarve të Allahut.” – Nuk kemi për të besuar, derisa të na jepet ajo që u është dhënë profetëve të Allahut, pra, profetësia dhe Shpallja. Me këto fjalë, ata tregojnë kundërshtimin e tyre ndaj Allahut të Lartësuar, vetëpëlqimin e tyre dhe arrogancën ndaj të vërtetës, të cilën Allahu e shpalli nëpërmjet profetëve të Tij.
Ata duan ta kufizojnë mirësinë dhe bujarinë e Allahut të Lartësuar. Por Allahu i Lartësuar ua kthen mbrapsht këtë kundërshtim dhe pretendim të kotë. Ai na tregon se ata nuk e meritojnë të mirën dhe mes tyre nuk mund të gjesh ndonjë që ta meritojë të jetë rob i mirë i Allahut dhe, aq më pak, profet i Zotit. I Lartësuari thotë:
– “Por Allahu e di më së miri se kujt ia dhuron Shpalljen e Vet.“ – Allahu i Lartësuar e di më mirë se cilët e meritojnë të jenë profetët e Tij. Ata janë njerëzit me cilësitë më të larta dhe të ruajturit nga çdo ves i ulët. Është Allahu i Lartësuar Ai që, me urtësinë e Tij, i pajisi me cilësitë dhe forcën e nevojshme për të mbajtur peshën e Shpalljes. Ndërsa për ata që nuk kanë të tilla cilësi, mjafton kaq si tregues se ata nuk mund të jenë profetë. Allahu i Lartësuar nuk do t’ua jepte kurrë këtë mirësi njerëzve me mangësi, por veçse atyre që i krijoi dhe i përgatiti Vetë për të qenë të tillë.
Në këtë ajet tregohet për urtësinë absolute të Allahut të Lartësuar. Po, është e vërtetë që bujaria, mirësia dhe mëshira e Allahut është e gjërë dhe gjithëpërfshirëse, por Ai është i Urtë dhe i Gjithëditur, prandaj e vendos mirësinë dhe mëshirën e Tij të plotë veçse atje ku duhet. Në vijim, Allahu i Lartësuar kërcënon keqbërësit, duke thënë:
– “Keqbërësit do t’i godasë poshtërimi para Allahut dhe dënimi i fortë, për të gjitha kurthet e tyre.“ – Për ta është përgatitur një poshtërim i madh. Duke qenë se ata tregohen kryeneçë dhe arrogantë ndaj të vërtetës së Zotit, Ai i “shpërblen” me një dënim të ashpër, poshtërues dhe nënçmues. Kështu, ata e meritojnë plotësisht këtë ndëshkim. Allahu i Lartësuar nuk i bën padrejtësi askujt.