– “Vetëm Allahut i takon dija për fshehtësitë e qiejve dhe të Tokës dhe vetëm tek Ai kthehet çdo çështje.” – Allahu i Lartësuar i di të gjitha të fshehtat e qiejve dhe të Tokës. Qoftë veprat, qoftë ata që i bëjnë veprat, të gjithë do të dalin para Allahut të Lartësuar, atëherë kur do të dallohet qartë i miri nga i keqi.
– “Atëherë vetëm Atë adhuroje dhe vetëm tek Ai kërko mbështetje!” – Përkushtohu në adhurimin ndaj Allahut. Adhurimi i sinqertë është plotësimi i gjithçkaje që Ai na ka urdhëruar dhe largimi nga gjithçka që Ai na e ka ndaluar. Allahu i Lartësuar na urdhëron që ne të përkushtohemi në adhurimin ndaj Tij, duke kryer të gjitha urdhëresat me sinqeritet ndaj Tij dhe duke u larguar nga të gjitha ndalesat me vazhdimësi. Të përkushtohemi në adhurim duke shpenzuar të gjitha energjitë dhe kapacitetet tona, por duke mos harruar atë që është më e rëndësishmja: mbështetjen tek Allahu dhe jo në forcat tona.
– “Zoti yt nuk është i shkujdesur ndaj veprave tuaja.” – Gjithmonë kujtoni këtë fakt, i cili do t’ju freskojë dhe gjallërojë në rrugën drejt Tij: Allahu i Lartësuar nuk është i pavëmendshëm ndaj punëve tuaja të mira apo të këqija. Ai di gjithçka që ju bëni. Ai ka shkruar çdo vepër tuajën dhe ka për t’ju shpërblyer me drejtësinë dhe bamirësinë e Tij.
Këtu përfundon tefsiri i sures Hud. Vetëm Allahut i takon falënderimi, lavdia e plotë dhe mirënjohja e thellë! Paqja, bekimet dhe mëshira e Allahut të Madhëruar qoftë mbi Muhamedin, familjen e tij, shokët e tij dhe pasuesit e rrugës së tij deri në Ditën e Gjykimit!