– “Nuk është as sipas dëshirave tuaja e as sipas dëshirave të ithtarëve të Librit.” – Kuptimi: Shpëtimi nuk arrihet duke pretenduar e ëndërruar. Ëndrrat dhe pretendimet boshe nuk e pastrojnë njeriun nga gjynahet dhe as nuk i japin shpërblim. “El emânij” quhet pretendimi për të arritur një qëllim të caktuar, por pa bërë as më të voglin mundim për arritjen e tij. Çdokush që synon të arrijë diçka pa shpenzuar mundin që i takon asaj, nuk ka bërë gjë tjetër, por veçse ka ëndërruar me sy hapur. Çdokush mund të pretendojë çfarë të dojë, por, pa punuar e lëvizur, të gjitha pretendimet janë njëlloj.
Kjo mund të thuhet për çdo çështje të kësaj dynjaje. Atëherë, si mendon se qëndron çështja kur bëhet fjalë për besimin dhe rrugën e arritjes së lumturisë së përjetshme?! Në ajete të tjera, Allahu i Lartësuar na ka folur rreth pretendimeve boshe të ithtarëve të Librit: “Ata (ithtarët e Librit) thonë: “Askush nuk do të hyjë në Xhenet nëqoftë se nuk është çifut ose i krishterë!” Këto janë trille të tyre! Thuaju: “Sillni provat tuaja, nëse keni të drejtë!” Përkundrazi, ai që i është dorëzuar Allahut dhe është bamirës, e ka shpërblimin e vet te Zoti i tij. Për ata nuk ka frikë, as nuk kanë pse të brengosen.” [Bekare 111, 112].
Kur gjykimi është i tillë për pretendimet e ithtarëve të Librit, çfarë mund të thuhet për ata që nuk ndjekin as libër hyjnor dhe as ndonjë profet? Sigurisht që pretendimet e tyre janë edhe më të pabazuara. Allahu i Madhëruar, duke qenë i Drejtë, ka dhënë të njëjtin gjykim edhe për ata muslimanë që bien në të njëjtin gabim. Të gjithë duhet ta dinë se përkatësia në çfarëdolloj feje qoftë, nuk i bën domosdoshmërisht të pranueshme pretendimet e ithtarëve të saj, nëse ato nuk argumentohen qartë dhe saktë. Janë veprat ato që tregojnë vërtetësinë apo pavërtetësinë e pretendimeve. Prandaj Allahu i Lartësuar e përforcon këtë rregull, kur thotë: