Select Page

– “Kështu, mohuesve u duken të këndshme veprimet e tyre.“   Është Shejtani i mallkuar që ua zbukuron veprimet në mënyrë të vazhdueshme, derisa ata fillojnë t’i pëlqejnë dhe t’i shohin si veprime të drejta dhe të logjikshme. Duke vazhduar për një kohë të gjatë të zhytur në gënjeshtra, atëherë kjo rrugë u kthehet në besim dhe bindje në zemër, aq sa u bëhet natyrë e tyre. Kështu, ata kënaqen dhe rehatohen me gjendjen e tyre të shëmtuar dhe të keqe.

Sidoqoftë, jo të gjithë ata që koten në errësira janë të një niveli. Disa prej tyre janë udhëheqës në ligësi dhe në humbje, të cilëve u dëgjohet fjala dhe u zbatohen porositë nga pasuesit e tyre. Por ka të tjerë që janë thjesht pasues të rëndomtë e të bindur ndaj krerëve të tyre. Sigurisht, të parët janë në nivel më të frikshëm të dëshpërimit dhe ndëshkimit. Duke treguar dhe përshkruar krimin e madh të këtyre krerëve, Allahu i Lartësuar thotë:

– “Kështu, në çdo qytet Ne kemi bërë që krerët e kriminelëve të ngrenë kurthe (kundër të vërtetës). Por, me kurthet e tyre, ata godasin veç vetveten, por nuk e ndiejnë.“ – Krimet dhe poshtërsitë e këtyre krerëve janë shumë të mëdha. Intrigat e tyre janë shumë tinzare. Ata përdorin çdo rrugë për të mashtruar njerëzit dhe për t’i ftuar në rrugën e Shejtanit. Ata i kanë luftuar pandërprerë dhe pa mëshirë profetët dhe pasuesit e tyre, me fjalë dhe me vepra. Por kurthet dhe intrigat e tyre godasin po ata vetë. Është e vërtetë që ata ngrenë kurthe kundër të vërtetës dhe ithtarëve të saj, por edhe Allahu i Lartësuar ngre kurthe për ta.

Pa dyshim, Allahu është më i miri që shkatërron kurthet e armiqve të fesë së Tij, duke i ndëshkuar në mënyrë të drejtë për zullumin e tyre. Allahu i Lartësuar i ndihmon dhe i dallon mbi të tjerët udhëheqësit e të vërtetës, të cilët, të ndriçuar me dritën e Zotit, u dalin në ballë këtyre kriminelëve me argumente dhe fakte të pakthyeshme, por edhe duke luftuar në rrugën e Zotit dhe duke shpenzuar gjithçka që zotërojnë për hir të Tij. Këta të zgjedhur ndjekin çdo rrugë të mundshme dhe bëjnë çdo përpjekje për arritjen e këtij qëllimi madhështor, të cilit ia kanë dorëzuar veten e tyre.

Është vetë Allahu i Lartësuar Ai që i drejton në mençurinë dhe urtësinë e tyre, është Ai që forcon zemrat dhe këmbët e tyre. Edhe pse ditët e triumfit Allahu i Lartësuar i bën të vërtiten mes tyre, përfundimi është i sigurt: fitorja do të jetë për të devotshmit. Atyre do t’ju takojë përfundimi i mirë. Po çfarë i bën këta kriminelë të mëdhenj, krerë të ligësisë, që të jenë këmbëngulës në refuzimin e të vërtetës të sjellë nga profetët? Është pikërisht smira, urrejtja dhe armiqësia që kanë. Allahu i Lartësuar na tregon fjalët e tyre: