Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar na njofton për mirësitë e mëdha që i kishte dhuruar Ibrahimit dhe për virtytet e larta me të cilat e dalloi atë. Ai thotë: “Vërtet, Ibrahimi ishte shembull i së mirës, adhurues i Allahut, besimtar i drejtë dhe nuk ka qenë kurrë idhujtar.” Ibrahimi (a.s.) ishte një imam i madh, një njeri me cilësitë më të larta. Ai ishte i udhëzuar nga Zoti në rrugën e drejtë dhe ishte udhëzues i të tjerëve në këtë rrugë. Ai ishte “kaniten lil-lahi’ – i përkushtuar në adhurime të vazhdueshme ndaj Zotit dhe me sinqeritet të plotë për Të. Ai ishte i përulur në adhurimin ndaj Zotit dhe i larguar nga çdo gjë tjetër veç Zotit. Ai kurrë nuk u bë idhujtar, as me fjalët e as me veprat e tij. Ibrahimi ishte prijësi i të gjithë njësuesve të Zotit, që pasojnë fenë e drejtë dhe besimin e saktë monoteist.