Select Page

Allahu i Lartësuar në këtë ajet i nxit për diçka të rëndësishme banorët e Medinës, ensarë e muhaxhirë, por edhe beduinët që pranuan Islamin dhe u përmirësuan:

– “Nuk do të ishte me vend për banorët e Medines e as për beduinët përreth, që të mos e ndiqnin pas të Dërguarin e Allahut dhe të kursenin veten, në vend të atij.” – Kjo vepër e shëmtuar nuk është e pranueshme e nuk duhet të ketë lidhje me ta. Ata duhet të qëndrojnë shumë më lart. Si mund të kënaqen besimtarët me rehatinë dhe qetësinë e tyre, kur i Dërguari fisnik u del në ballë përgjegjësive të mëdha?! Ai duhet të mbështetet patjetër nga umeti i tij.

Ndihma ndaj Profetit është më parësore sesa rehatia dhe interesi personal. Çdo besimtar  duhet të sakrifikojë gjithçka personale, në vend të Profetit të nderuar dhe fisnik të Zotit. Shenjë treguese e dashurisë dhe respektit për Profetin është që kurrë të mos i shmangesh kur ai kërkon angazhimin tënd. Ky është besimi i plotë te Profeti i Zotit. Pastaj i Lartësuari përmend shpërblimin e madh:

‘Nuk do të ishte me vend, sepse sa herë që ata i kapte etja, lodhja dhe uria në rrugën e Allahut, sa herë që shkelnin ndonjë rrugë që i hidhëronte jobesimtarët, sa herë që arrinin çfarëdolloj fitoreje kundër armikut – të gjitha këto do t’u shkruhen si vepra të mira.” – Luftëtarët marrin shpërblim të madh për çdo vështirësi, lodhje apo uri, që heqin në rrugën e Zotit. Për çdo sulm apo goditje që tmerron jobesimtarët dhe për çdo plaçkë lufte të fituar, ka shpërblim të madh. Ky shpërblim vjen nga veprat që bëhen sipas imanit në zemër.

– “Allahu nuk ua humb shpërblimin vepërmirëve.” – Ata u treguan bamirës duke nxituar të përmbushnin urdhëresat e Zotit. Ata ishin bamirës duke e përkryer adhurimin ndaj Zotit të tyre, por edhe duke respektuar të drejtat ndaj krijesave të Zotit. Veprat e mira janë produkt i besimit dhe sjellin njëra-tjetrën. E mira i tërheq drejt të mirës, dhe kështu vazhdojnë derisa të arrijnë të mirën e përjetshme.