– “Thuaj: “Kujt i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë?” Thuaj: “Vetëm Allahut.”. – Profeti udhëzohet që t’u drejtohet idhujtarëve, duke i bërë të pohojnë njëshmërinë e Allahut, dhe t’u thotë: “Kujt i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë? Kush është Krijuesi, Zotëruesi dhe Sunduesi i tyre?
Kush i rregullon çështjet dhe kujdeset për krijesat? Ai është Allahu.” Ata e pranojnë një fakt të tillë. Atëherë, ashtu sikurse e pranojnë faktin që Allahu është Krijuesi dhe Mbretëruesi i qiejve dhe i Tokës, ashtu le ta pranojnë edhe faktin që vetëm Ai meriton adhurimin dhe sinqeritetin në përkushtim.
– “Ai ia ka bërë detyrim Vetes mëshirën.” – Të gjitha botët janë krijesa të Allahut dhe është Ai që i sundon dhe përkujdeset për to. Ai e ka shtrirë mëshirën dhe bamirësinë e Tij mbi ta. Allahu ka përfshirë gjithçka me mëshirën dhe bujarinë e Tij. Ai ia ka bërë detyrë Vetes së Vet që mëshira e Tij të tejkalojë zemërimin e Tij.
Dhurimi i mirësive është më i dashur për Të sesa ndalimi i të mirave. Allahu i Madhëruar ua ka hapur portat e mëshirës të gjitha krijesave, por janë vetë ata që ia mbyllin vetes këto porta me gjynahet e tyre. Ai i fton të gjithë në mëshirën e Tij, por janë ata që privojnë vetveten dhe nuk mund ta kërkojnë mëshirën me gjynahet, mangësitë dhe fajet e tyre.
– “Ai, patjetër do t’ju tubojë Ditën e Gjykimit, për të cilën nuk ka dyshim.” – Allahu i Madhëruar betohet, edhe pse Ai është më i vërteti në fjalët e Tij. Ai betohet për vërtetësinë e Ditës së Gjykimit, edhe pse ka sjellë shumë argumente të pakundërshtueshme për vërtetësinë e saj. E, megjithatë, të padrejtët nuk dinë të japin tjetër përgjigje, veç mohimit me kryeneçësi të së vërtetës.
Ata e mohojnë padrejtësisht fuqinë e Allahut për ringjalljen e krijesave dhe kështu zhyten në gjynahet e tyre. Ata marrin guximin të mohojnë Zotin, duke shkatërruar dhe humbur dynjanë dhe ahiretin e tyre. Prandaj i Madhëruari thotë:
– “Ata që e kanë humbur vetveten, kurrë nuk kanë për të besuar.