“Ajo ditë është mjerim i madh për mohuesit, të cilët, të zhytur në gënjeshtra, argëtohen!” – Ajo ditë është “uejl” për mohuesit. Fjala “uejl” e përdorur në ajet shënon çdo lloj ndëshkimi, trishtimi, vuajtjeje, ankthi e frike. Po cili është shkaku që ata meritojnë këtë ndëshkim?! Ata janë tërësisht të angazhuar me gjëra të pavlefshme. Studimet e tyre janë tërësisht të përqendruara në njohjen e gjërave të dëmshme, të cilat të çojnë në mospranimin e të vërtetës.
Ata të bëjnë që të besosh dhe pranosh të kotën. Kjo është dituria e tyre. Ndërsa veprat e tyre bëhen vetëm nga injorantët, mendjelehtët dhe të shfrenuarit në dëfrime e lojëra. E tillë është gjendja e njohurive dhe veprave të këtyre mjeranëve, ndryshe nga dijet dhe veprat e besimtarëve, që e pranojnë të vërtetën e Zotit dhe jetojnë me të. Dituria e këtyre të fundit është e dobishme për dynjanë dhe ahiretin. Veprat e tyre mbështeten te kjo dije e dobishme dhe kryhen me sinqeritet për të kënaqur Krijuesin.