– “Këtë ndëshkim e merituat vetë, sepse kur ishte fjala për ta adhuruar Allahun si Një të Vetëm, ju e refuzonit. Por kur i bëheshin ortakë Atij (në adhurim), ju e pranonit.” – Kur ata ftoheshin për të adhuruar Allahun si Një të vetëm dhe për t’u distancuar nga shirku, e refuzonin me forcë këtë ftesë, madje tregonin neveri ndaj saj. Ndërsa kur adhurohej diçka tjetër veç Allahut, ata kënaqeshin dhe e pasonin atë rrugë. Kështu, – u thuhet atyre, – ajo që ju solli në këtë gradë ishte fakti se ju e refuzuat besimin e drejtë, duke u kënaqur me mohimin e Zotit.
Ju ndoqët me përkushtim atë që është e keqe dhe shkatërrim për dynjanë dhe ahiretin tuaj, dhe e urryet atë që është e mirë dhe e dobishme për dynjanë dhe ahiretin tuaj. Ju parapëlqyet atë që shkakton dëshpërimin, fatkeqësinë, poshtërimin tuaj, dhe u treguat mospërfillës ndaj asaj që ju mundëson suksesin dhe arritjen e çdo mirësie. Në një ajet, i Madhëruari thotë: “Unë do t’i spraps nga shenjat e Mia ata të cilët tregohen mendjemëdhenj në tokë duke shpërfillur të drejtën. Ata edhe nëse i shohin të gjitha Shenjat, nuk do të besojnë në to. Nëse shohin rrugën e shpëtimit, ata nuk e marrin atë rrugë; e, nëse shohin rrugën e humbjes – kjo është rruga që e ndjekin ata. Kjo ndodh ngase ata i kanë mohuar Shenjat Tona dhe janë treguar mospërfillës ndaj tyre.“. [El ea’raf 146].
– “Por i tërë sundimi i përket Allahut, të Lartit, të Madhëruarit.” – Atij i takon lartësimi e madhërimi i plotë, në çdo drejtim. Ai është i Lartësuar në Qenien e Tij, i Lartësuar në përcaktimet e gjykimet e Tij, i Lartësuar, Mbretërues e Nënshtrues i gjithçkaje. Prej lartësisë së përcaktimit dhe gjykimit të Tij është dhe drejtësia e Tij absolute, duke vendosur gjithçka në vendin e vet. Me drejtësinë e Tij, Ai kurrë nuk do t’i gjykojë e shpërblejë njëlloj të devotshmit me keqbërësit. Allahu është El Kebiru – i Madhërishmi. Atij i takon madhështia e krenaria e plotë, në emrat, cilësitë dhe në veprat e Tij. Ai është i Lartësuar dhe larg çdo të mete e mangësie. Pra, nëse është Allahu i Madhërishëm e i Gjithëpushtetshëm Ai që ju gjykon me përjetësi në zjarrin e Xhehenemit, atëherë ai gjykim nuk ndryshohet dhe askush nuk e kthen dot pas.