– “Para Kur’anit është shpallur Libri i Musait, si udhërrëfyes dhe mëshirë. …” – Zoti e bëri Teuratin udhëzim dhe mëshirë, që bijtë e Israilit të gjenin nëpërmjet tij rrugën e udhëzimit dhe të kishin ligjet e jetës dhe të adhurimit. Nëse do ta zbatonin, do të arrinin mirësinë në dynja dhe në ahiret.
– “Kur’ani është një Libër që e vërteton atë (Teuratin) …” – Ky libër është vërtetues dhe miratues i shpalljeve hyjnore të mëparshme. Atë që Kur’ani e dëshmon si të vërtetë, ajo është e vërtetë, sepse ai është në përputhje të plotë me të gjitha shpalljet e tjera të Zotit. Këtë libër Allahu i Madhëruar e shpalli në gjuhën arabe, që kuptimi dhe përfitimi prej tij jenë më të thjeshtë. Po në këtë mënyrë, ai është bërë i thjeshtë për t’u mësuar përmendësh.
– “… dhe është shpallur në gjuhën arabe, për t’u tërhequr vërejtjen atyre që bëjnë gjynahe dhe si lajm i mirë për vepërmirët.” – Allahu i Madhëruar e shpalli Kur’anin që të paralajmërojë ata që i bëjnë padrejtësi vetes duke shkelur e tejkaluar kufijtë e Zotit dhe duke mos iu bindur Atij. Ai i paralajmëron ata për një ndëshkim të rëndë nëse vazhdojnë me padrejtësitë dhe rrugën e tyre të humbjes.
Por ky libër u shpall, gjithashtu, edhe që të përgëzojë vepërmirët, të cilët i përkryejnë të gjitha adhurimet e përkushtuara Allahut dhe janë bamirës me krijesat e Allahut. Ata përgëzohen me një shpërblim të madh në dynja dhe në ahiret. Në Kur’an janë treguar qartë veprat nga të cilat duhet të ruhemi dhe veprat që duhet t’i kryejmë.