– “E kur njeriut i bie një e keqe, ai na lutet qoftë shtrirë, ulur ose në këmbë, ” – Ky ajet na tregon rreth natyrës njerëzore dhe prirjeve të saj. Kur njeriu sprovohet me ndonjë fatkeqësi, sëmundje ose vështirësi, ai përpiqet shumë në lutje e përgjërim në të gjitha gjendjet e në çdo çast, për të larguar fatkeqësinë ose sprovën. Ai lutet kur është në këmbë, ulur apo dhe shtrirë, dhe përgjërohet e tregohet këmbëngulës në lutjen për ta larguar fatkeqësinë dhe që Allahu i Madhëruar ta çlirojë.
– “… e, kur Ne ia largojmë të keqen atij, ai vazhdon sikur të mos na ishte lutur fare për të keqen që e kishte goditur. ” – Ai kthehet përsëri atje ku ishte, duke i kthyer shpinën Zotit të tij, a thua se nuk ka përjetuar asnjëherë ndonjë fatkeqësi, nga e cila Zoti e shpëtoi. E çfarë padrejtësie e mosmirënjohje mund të jetë më e madhe sesa kjo? Kërkon nga Zoti përmbushjen e kërkesave të veta, dhe kur Ai ia plotëson, as nuk i hedh sytë për të drejtat e Zotit.
A thua se nuk ka asnjë detyrim ndaj Zotit të tij. Ky është një veprim i nxituar dhe i zbukuruar nga shejtani i mallkuar, sepse çdo natyrë e pastër dhe mendje e shëndoshë e konsideron mosmirënjohjen ndaj bamirësit si diçka të shëmtuar dhe të ulët. Prandaj i Madhëruari thotë:
– “Kështu keqbërësve u duket mirë ajo që veprojnë.” – Allahu i Madhëruar i ka quajtur të tillë njerëz “musrifinë” – tejkalues të kufijve të Tij. Këtyre kriminelëve u është zbukuruar rruga e shfrenimit dhe mosmirënjohjes, edhe pse natyra e pastër dhe mendja e shëndoshë e refuzon atë.