– “(Djalit të tij i erdhi urdhri) O Jahja! Merre librin (dhe zbatoje) me shumë kujdes! – Kështu lindi Jahja, i cili u rrit dhe u edukua në gjirin e një familjeje adhuruese. Kur arriti moshën që të kuptonte Shpalljen, Allahu i Madhëruar e urdhëroi që të zbatonte ligjet e Librit të Tij me rigorozitet.
Kjo përpjekje do të ishte, së pari, në mësimin përmendësh të tekstit dhe të kuptimeve të tij, pastaj në zbatimin e urdhëresave dhe ndalesave të tij. Kjo është domethënia e fjalës: “Merre librin me shumë kujdes!” Jahja e përmbushi menjëherë urdhrin e Zotit të tij. Ai mësoi tekstin e librit dhe kuptimet e tij. Allahu i dhuroi atij zgjuarsi të spikatur, që nuk gjendej tek të tjerët:
– Dhe Ne i dhamë atij urtësi që kur ishte fëmijë. – Allahu i dhuroi Jahjas njohje të thellë të ligjit dhe një aftësi gjykimi të drejtë, që në moshë fare të re.