Select Page

Kjo është një thirrje e qartë, që Zoti ua drejton robërve  të Tij për një pendim të sinqertë. Ajo është një ftesë e mrekullueshme, që ata të kthehen tek Ai të penduar e të përulur. Allahu i Madhëruar njofton se kushdo që bën një vepër të keqe, duke mos ditur përfundimin e saj të keq, ka këtë premtim të mrekullueshëm. Edhe kur njeriu e bën me vetëdije gjynahun, në zemrën e tij pakësohet dituria gjatë kohës kur e kryen atë vepër.

Atëherë, nëse pas gjynahut, robi pendohet, duke ndier keqardhje për çfarë ka bërë dhe pastaj heq dorë nga ajo vepër dhe vijon të përmirësohet e të rregullojë punët e tij, atëherë Allahu ia mbulon dhe ia fal gjynahet. Ai e mëshiron dhe ia pranon keqardhjen dhe pendimin të sinqertit. Allahu e kthen të penduarin në të njëjtën gjendje si para se ta kryente gjynahun ose në gjendje edhe më të mirë.