– “Ne i dhamë Musait e Harunit mirësi të shumta. Dhe i shpëtuam ata dhe popullin e tyre prej mjerimit të madh. Ne i ndihmuam, prandaj ata ngadhënjyen. Ne u dhamë atyre të dyve një Libër të qartë. Dhe i udhëzuam në rrugën e drejtë.“ – Allahu i Lartësuar na tregon mirësitë e shumta që u dhuroi dy profetëve dhe adhuruesve të Tij të dashur, Musait dhe Harunit, dy bijve të Imranit. Ai i dalloi ata duke i bërë profetë dhe ndër më të dalluarit që ftuan njerëzimin në rrugën e Zotit.
Ai i shpëtoi ata të dy dhe popullin e tyre nga Faraoni dhe ushtritë e tij dhe i bëri të triumfonin kundër tyre. Madje Zoti i mbyti ata mu para syve të bijve të Izraelit. Ai u shpalli atyre një libër madhështor dhe të qartë, Teuratin. Në atë libër ishin drita e ligjit të Zotit dhe shpjegimi për gjithçka. Allahu i drejtoi Musain dhe Harunin në rrugën e drejtë dhe të qartë, duke u shpallur atyre ligje dhe dispozita të drejta, që të afronin tek Ai dhe i bëri ata të denjë që t’i zbatonin e të jetonin sipas tyre. Të gjitha këto ishin nga mirësitë e shumta që Zoti u dhuroi atyre.