– “Ata besojnë Allahun dhe Ditën e Gjykimit, …” – Ata e besojnë Allahun ashtu sikurse besimtarët e vërtetë. Ata i besojnë të gjithë profetët dhe shpalljet që Allahu u zbriti atyre. Allahu i Lartësuar e ka veçuar besimin e tyre rreth Ditës së Gjykimit, sepse është pikërisht ky besim që i nxit besimtarët të afrohen tek Zoti i tyre me fjalë e vepra të mira. Ajo është dita e shpërblimit apo e shpagimit me drejtësi për veprat e bëra në këtë jetë. Ajo ditë e nxit besimtarin që të zbatojë çdo urdhër për të cilin do të shpërblehet dhe t’i largohet çdo ndalese, që t’i ruhet kërcënimit të të Drejtit.
– “… këshillojnë për të mirë, ndalojnë nga e keqja …” – Pasi e kanë plotësuar veten me besim të sinqertë ndaj Allahut dhe Profetit të mëshirës, besim ky i cili përmirëson edhe veprat e tyre, ata përpiqen për të ftuar edhe të tjerët në rrugën e drejtë. Ata urdhërojnë për çdo vepër të mirë dhe ndalojnë nga çdo vepër e keqe. Ata nxisin edhe të tjerët prej ithtarëve të Librit që ta besojnë Profetin e mëshirës, Muhamedin (a.s.). Pastaj Allahu i Lartësuar i cilëson ata si njerëz me vullnet dhe ambicie të larta:
– “… dhe garojnë për vepra të mira.” – Pra, ata nxitojnë që të kryejnë çdo vepër të mirë që Allahu dhe Profeti i Tij i urdhëron. Ata nuk e vonojnë aspak çdo punë të mirë që i afron tek Zoti. Ata shfrytëzojnë çdo rrugë, mënyrë dhe kohë për të kryer adhurime ndaj Allahut të Lartësuar. Kjo etje e tyre për të kryer vepra të mira e ka një shkak: ata e dëshirojnë shumë shpërblimin dhe dashurinë e Allahut për ta. Ata janë shumë të vetëdijshëm për mirësitë që sjell adhurimi i Allahut dhe bindja ndaj Tij, e pikërisht ata i quan Allahu i Lartësuar si “ŝâliĥîn” – të mirë:
– “Ata janë prej të mirëve.” – Dihet shumë mirë se Allahu i Lartësuari do t’i përfshijë ŝâliĥîn-ët në mëshirën e Tij dhe do t’i trajtojë ata me butësinë dhe faljen e Tij të gjerë. Ai do t’i nderojë duke u dhuruar nga mirësitë e Tij të mrekullueshme. Më pas, Allahu i Lartësuar tregon se asnjë vepër e tyre nuk do të shpërfillet, e vogël apo e madhe qoftë ajo, por do të shpërblehet me formën më të mirë: