Select Page

– “Kështu Ne e shpallëm këtë Kur’an në gjuhën arabe …” – Ne e shpallëm këtë libër në gjuhën më të zgjedhur, gjuhën arabe, që ju e kuptoni dhe e njihni mirë. Kështu, Kur’ani është tërësisht i kuptueshëm për ju, qoftë teksti dhe termat e tij, qoftë kuptimet e tyre.

… dhe shpjeguam me hollësi disa nga paralajmërimet, …” – Kemi sjellë në Kur’an lloje të shumta paralajmërimesh dhe kërcënimesh. Shpeshherë, kërcënimi vjen duke na përmendur emrat e Allahut që tregojnë drejtësinë dhe ndëshkimin e Tij. Herë të tjera, ai vjen duke përmendur ndëshkimet që Allahu vendosi mbi popujt e shkuar, duke urdhëruar popujt më pas që të merrnin mësim.

Disa herë kërcënimi vjen duke na kujtuar pasojat e këqija që sjellin gjynahet, e herë të tjera duke përmendur tmerret e Ditës së Kijametit dhe fazat e saj të frikshme. Po ashtu, Kur’ani përmend Xhehenemin dhe llojet e ndëshkimit që përmban ai. Të gjitha këto, Allahu i Madhëruar i ka sjellë si mëshirë për robërit, që ata të ruhen dhe t’i frikësohen Atij. Në këtë mënyrë, ata do t’u largohen ligësive, sherrit, poshtërsive dhe gjithçkaje që i dëmton, siç thotë Allahu i Madhëruar:

– “… që ata të mund të ruhen ose që ai (Kur’ani) t’i bëjë ta kujtojnë (Atë).” – Kështu do të nxiten që të bëjnë vepra të mira në bindje ndaj Zotit, që do t’u sjellin shumë dobi. Duke qenë se Kur’ani është në gjuhën arabe dhe shumë i kuptueshëm për ju, nga njëra anë, dhe duke qenë se kërcënimet e paralajmërimet në të janë sjellë në forma të larmishme, atëherë njerëzit duhet të bëhen të devotshëm dhe të kryejnë sa më shumë vepra të mira. Nëse nuk do të ishte në gjuhën arabe dhe jo i qartë, Kur’ani nuk do ta kishte këtë ndikim.