Select Page

Pasi na përshkroi shumë qartë gjendjen e shumicës së ithtarëve të Librit, të cilët janë jashtë rrugës së drejtë, dhe pasi na foli për veprat e tyre të këqija dhe ndëshkimet që ata meritojnë, Allahu i Lartësuar vijon të na tregojë edhe për një pjesë shumë të vogël mes tyre, të cilët janë të udhëzuar drejt. Në këto ajete, Allahu i Lartësuar përshkruan veprat që kryen ky grup i shpëtuar dhe shpërblimin që i pret ata. Kështu, Ai thotë:

– “Jo të gjithë prej tyre janë njëlloj.” – Kuptimi: Ata të grupit të parë, që ishin të pabindur ndaj Zotit dhe profetëve të Tij dhe që bënin ato vepra aq të këqija, kurrsesi nuk mund të jenë të njëjtë me disa të tjerë, që janë një grup i dytë me disa cilësi të tjera, që Allahu i Lartësuar do t’i përmendë në vazhdim:

– “Disa nga ithtarët e Librit i qëndrojnë besnikë të vërtetës …” – Këtë grup prej ithtarëve të Librit, të vetmit të shpëtuar prej tyre, Allahu i Lartësuar i cilëson si: “ķâimetun”, pra, të patundur nga rruga e drejtë e Zotit të tyre. Ata janë të përqendruar në zbatimin e fesë së Zotit. Ata janë të kujdesshëm për zbatimin e urdhrit më të madh për adhurimin e Zotit të tyre, për faljen e namazit.

“… duke lexuar ajetet e Librit të Allahut (Kur’anin) gjatë natës dhe bien në sexhde (duke u lutur).– I tillë është namazi i tyre i natës. Ata e zgjasin namazin për Allahun e Lartësuar, duke lexuar ajetet e Kur’ânit dhe duke u përulur në ruku dhe në sexhde.