Select Page

– “Çdo Profeti Ne i bëmë armiq prej shejtanëve njerëz dhe xhinde …” – Duke dashur ta ngushëllojë Profetin e Tij, Allahu i Madhëruar i kujton rregullin e Tij të pandryshueshëm: profetët dhe pasuesit e të vërtetës gjithmonë do të kenë kundërshtarë e armiq, që do t’i luftojnë, qofshin ata prej njerëzve apo prej xhindëve. Ushtria e të kotës gjithmonë do të synojë luftimin e të vërtetës dhe pengimin e saj nga njëra anë, e shfaqjen e të kotës dhe përhapjen e saj nga ana tjetër.

– “… që frymëzojnë njëri-tjetrin me fjalë të bukura e mashtrime. Sikur të donte Zoti yt, ata nuk do të vepronin ashtu, por ti lëri ata dhe trillimet e tyre!” – Ata ia zbukurojnë njëri-tjetrit të kotën që pasojnë dhe i joshin të tjerët për ta pasuar atë. Rrugën e tyre të kotë e paraqesin me pamjet më të bukura. Në këtë mënyrë, ata mashtrojnë të metët dhe mendjelehtët, të cilët nuk e kuptojnë drejt realitetin.

Ata nuk i kuptojnë gjërat ashtu si duhet dhe gënjehen nga xhingla të vogla. Ata mahniten nga fjalët e bukura e të fryra, pa vënë në përdorim logjikën, për të parë te thelbi. Ata e shohin të vërtetën si mashtrim, ndërsa mashtrimin e konsiderojnë si e vërteta, që duhet pasuar. Por, sikurse thotë i Lartësuari, këto trillime i pasojnë veçse mendjelehtët dhe ata që synojnë thjesht këtë botë dhe kënaqjen e epsheve të tyre: