Select Page

Ky vendbanim për të cilin bëhet fjalë në ajet ishte Meka e nderuar, e cila ishte vend paqeje dhe sigurie, ku askush nuk dëmtohej e luftohej. Madje, edhe në kohën e injorancës paraislamike ky ishte një rregull i pathyeshëm. Edhe nëse dikush e shihte vrasësin e të atit në Mekë, nuk e sulmonte e nuk e vriste, me gjithë ashpërsinë dhe gjaknxehtësinë e arabëve.

Në atë vend mbizotëronte një siguri, që nuk ishte në asnjë vend tjetër. Po kështu ishin edhe të mirat materiale. Megjithëse ishte një vend i shkretë nga bimësia, në Mekë vinin pasuritë nga çdo vend i botës. Të tillë e kishte bërë Zoti i Madhëruar atë vend.

Megjithatë, kur mekasve u erdhi Profeti, që ishte nga mesi i tyre dhe të cilit ia njihnin besnikërinë dhe sinqeritetin, ata e mohuan, duke treguar mosmirënjohje për mirësitë e Zotit. Me këtë mosmirënjohje dhe mohim ata e bënë të meritueshëm ndëshkimin e Zotit mbi ta. Allahu i Lartësuar ua zëvendësoi mirësitë që kishin me të kundërtat e tyre. Ai ua veshi rrobën e urisë dhe të frikës, në vend të mirëqenies dhe paqes që kishin më parë. Ky është përfundimi i mohimit dhe i mosmirënjohjes ndaj Zotit.