Select Page

– “Në historitë e tyre ka mësime për të mençurit.” – Në këto rrëfime ka mësime për vepërmirët, por edhe paralajmërim për punëkëqijtë. Çdokush, sipas punëve që bën, do të marrë atë që i takon: shpërblimin ose ndëshkimin e poshtërimin. Në këto rrëfime ka, gjithashtu, mësime të mrekullueshme për cilësitë e plota të Allahut të Madhëruar, që ka urtësinë absolute. Allahu është i vetmi që meriton të adhurohet ashtu sikurse Ai e dëshiron dhe siç e ka urdhëruar në shpalljet e Tij.

– “Ky (Kur’an) nuk është fjalë e trilluar, por është vërtetues i asaj që ishte (shpallur) para tij dhe shpjegues i hollësishëm i gjithçkaje.” – Ky libër, përmes të cilit Allahu i Madhëruar  ju ka treguar shumë histori të mrekullueshme, nuk është një fjalë e trilluar, e shpikur nga mendja njerëzore, por është vërtetues i shpalljeve të mëparshme. Ai i pohon dhe dëshmon për vërtetësinë e tyre dhe të profetëve që i sollën ato prej Zotit.

Gjithashtu, ky Kur’an është sqarues i çdo gjëje, për të cilën krijesat kanë nevojë të dinë. Ai sqaron themelet e fesë dhe degëzimet e saj. Në të, ata gjejnë çdo argument e fakt të nevojshëm për të rregulluar besimin dhe për të arritur lumturinë e tyre në dynja dhe në ahiret.

– “Ai është udhërrëfyes e mëshirë për këdo që beson.” – Me diturinë e vërtetë dhe të saktë që Kur’ani u ofron njerëzve, bëhet për ta udhërrëfyes drejt së mirës. Ndërsa me shpërblimet e shumta të kësaj jete dhe të jetës tjetër të amshuar që ai u premton aktivistëve dhe atyre që jetojnë sipas tij, ai bëhet mëshirë lumturisjellëse. Kjo gjë u ofrohet besimtarëve në këtë libër madhështor dhe të mrekullueshëm.