Allahu i Madhëruar na tregon se kur Ai i dërgonte profetët e Tij të nderuar, njerëzit e këqij dhe kriminelë nuk i besonin ata, por i quanin gënjeshtarë. Ai i afatizonte ata, që të kishin mundësi të kthenin rrugë dhe të besonin të vërtetën e sjellë nga të dërguarit.
Por refuzimi i tyre zgjaste aq shumë, saqë edhe profetët – me besimin dhe sigurinë e tyre të plotë në premtimin dhe ndihmën e Allahut, – ndoshta në zemrat e tyre gati e humbnin shpresën dhe mendonin me pesimizëm se ishin refuzuar përfundimisht nga popujt e tyre. Por pikërisht në këtë gjendje, atyre u vinte ndihma e Zotit:
– “Atëherë kur të dërguarit gati e humbin shpresën dhe mendojnë se janë trajtuar si gënjeshtarë, atëherë u vjen ndihma Jonë. Dhe, ata që i duam, ne i shpëtojmë. Por, dënimi Ynë kurrë nuk mund zbrapset nga një popull keqbërës.” – Të shpëtuarit ishin profetët dhe pasuesit e tyre. Ndërsa ata që ishin kriminelë dhe guxonin të mos i përuleshin të Madhërishmit, ata nuk mund të gjenin forcë ku mund të mbështeteshin apo ndihmëtar që mund t’i shpëtonte.