Select Page

Për çdo njeri ka mbikëqyrës para dhe prapa tij, të cilët, me urdhrin e Allahut, e ruajnë atë.  Çdo njeriu i janë përcaktuar melekë shoqërues, që ndërrohen me njëri-tjetrin gjatë natës dhe ditës. Ata qëndrojnë para dhe pas njeriut, duke e ruajtur atë, me urdhërin e Allahut. Melekët e ruajnë trupin dhe shpirtin e njeriut nga çdokush që i dëshiron të keqen. Ata, gjithashtu, shkruajnë edhe veprat e Tij.

Kështu, njeriu nuk duhet të harrojë se, përveç faktit që Allahu i Lartësuar di gjithçka për gjendjen, nevojat dhe veprat e tij, Ai ka caktuar edhe melekë si shoqërues të njeriut, të cilët mbikëqyrin çdo gjendje dhe aktivitet të tij. Njeriu duhet të jetë i bindur se asnjë veprim, fjalë apo gjendje e tij nuk humbet dhe harrohet.

Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë në veten e tyre.Nëse Allahu i Lartësuar i ka dhuruar një populli lumturi, mirësi dhe begati, kurrë nuk ka për t’ua larguar këto mirësi, derisa ata vetë të bëhen shkak për këtë gjë. Robi bëhet shkak për humbjen e mirësive, duke braktisur imanin, për të rënë në kufër, duke braktisur bindjen ndaj Zotit, për të rënë në poshtërsi dhe gjynahe, duke braktisur mirënjohjen ndaj mirësive të Allahut të Lartësuar, për të rënë në arrogancë dhe mosmirënjohje.

Kështu, Allahu i Lartësuar ua heq mirësitë dhe begatitë, pikërisht për këtë arsye. Nga ana tjetër, nëse njerëzit e ndryshojnë gjendjen e tyre për mirë, duke u larguar nga poshtërsia dhe mosbindja ndaj Zotit dhe duke u kthyer të nënshtruar dhe të bindur ndaj Allahut të Lartësuar, Ai ka për ta transformuar gjendjen e tyre, nga fatkeqësia, dëshpërimi dhe dhimbja, në mirësi, lumturi, bollëk dhe mëshirë.

Por, kur Allahu vendos ta ndëshkojë një popull, atë (ndëshkim) nuk ka kush ta sprapsë …Nëse Allahu i Lartësuar vendos të godasë me vështirësi e fatkeqësi, gjë që njerëzit nuk e duan, nuk ka dyshim se dëshira dhe vullneti i Tij do të realizohen dhe askush nuk mund ta ndalojë Atë.

… dhe ata nuk do të gjejnë mbrojtës tjetër veç Tij.Askush nuk mund të marrë përsipër çështjet e tyre, t’i ndihmojë të arrijnë atë që duan apo t’i mbrojë nga gjërat që u druhen. Për këtë arsye, le të jenë të kujdesshëm dhe të ruhen të mos bëjnë ato gjëra që Zoti i urren, në mënyrë që të mos i godasë ndëshkimi i Zotit, i cili është i pakthyeshëm kundër një populli kriminel.