– “Kështu ndodhi edhe me pasuesit e Faraonit dhe ata të mëhershmit.” – Që pasuria dhe fëmijët nuk u bëjnë dobi qafirëve, ka qenë një ligj i pandryshueshëm i Allahut të Lartësuar për të gjithë popujt. Kështu ishte për popullin e Faraonit, por edhe për të tjerët para e pas tyre.
Të njëjtin përfundim do të kenë të gjithë ‘faraonët’ e çdo kohe, sado të fuqishëm qofshin në pushtetin e tyre, sado të mëdha të jenë pasuritë dhe pasuesit e tyre. Çdokush që mohon të vërtetën e shpallur nga Zoti, çdokush që nuk pranon t’i nënshtrohet rrugës së drejtë dhe të pasojë profetët e Zotit, do të ketë po atë përfundim.
– “Ata i mohuan argumentet Tona. Për këtë arsye, Allahu i shkatërroi për fajet e tyre.” – Pra, Allahu i Lartësuar do t’i ndëshkojë ata, për shkak të mosbesimit dhe mosbindjes së tyre, sepse Allahu i Lartësuar është i Drejtë. Ai nuk i bën padrejtësi askujt. Çdo gjykim i Tij është i drejtë dhe i pakundërshtueshëm.
– “Allahu ndëshkon shumë ashpër.” – Allahu ka përgatitur ndëshkim të ashpër për këdo që përmbush shkaqet që e bëjnë të meritueshëm këtë ndëshkim. Shkaqet që sjellin ndëshkimin janë kufri dhe gjynahet, me të gjitha llojet dhe ngjyrat e tyre. Pastaj i Madhëruari thotë: