Allahu i Madhëruar i drejtohet profetit të tij të dashur, Muhamedit a.s, dhe i thotë:
– “Thuaj: “Kjo është rruga ime.” – Thuaju njerëzve o Muhamed, kjo është rruga ime në të cilën unë ju ftoj! Ajo është e vetmja rrugë që ju çon drej Allahut dhe vendit të Tij të bujarisë dhe mirësisë së përjetshme. Kjo rrugë është e ndërtuar mbi diturinë e vërtetë, të saktë dhe korrekte nga shpallja e Zotit dhe të punuarit me sinqeritet sipas saj për të kënaqur të vetmin të adhuruar me meritë, Allahun e Lartësuar. Rruga ime është: të dorëzuarit tërësisht për të adhuruar Zotin si një të vetëm dhe për të jetuar sipas Ligjit të Tij, duke i dhënë përparësi Atij mbi gjithçka tjetër të kësaj bote.
– “Unë dhe pasuesit e mi i ftojmë njerëzit në rrugën e Allahut, me dituri të qartë.” – Unë dhe ata që më pasojnë mua ftojmë njerëzit që ta duan Allahun dhe të bëjnë punë të mira, që të afrojnë tek Ai. Unë paralajmëroj që të ruhen dhe të largohen nga ato vepra e besime që shkaktojnë zemërimin dhe pastaj ndëshkimin e të Drejtit të Plotpushtetshëm dhe largimin nga Ai.
Allahu i Madhëruar më ka pajisur mua me dituri të qartë për fenë në të cilën po i ftoj krijesat. Unë jam tërësisht i bindur në saktësinë dhe vërtetësinë e Shpalljes që Zoti im më ka dhuruar, pa asnjë dyshim e ngurrim në të. Po kështu janë edhe pasuesit e mi: edhe ata ftojnë në rrugën e Allahut, duke qenë të ditur dhe të qartë në fenë ku i ftojnë të tjerët.
– “I lartësuar qoftë Allahu! Unë kurrë nuk do të jem nga idhujtarët.” – Allahu është i pastër dhe larg çdo të mete dhe besimi të kotë, që njerëzit trillojnë. Besimet e sajuara dhe të nxitura nga shejtani i mallkuar nuk i japin Zotit madhështinë që i takon, por bien ndesh me lartësinë dhe madhështinë e Tij të plotë. Unë nuk jam si idhujtarët dhe distancohem nga veprat e tyre të liga dhe devijuese. Unë i jam dedikuar tërësisht adhurimit të Allahut si një i vetëm dhe sipas porosive dhe Ligjit të Tij. Pastaj, i Madhëruari thotë: