Select Page

“Ndërsa të lumturit janë në Xhenet.” – Këta janë ata fatbardhë, të cilëve u takon çdo gjë që u sjell gëzim, kënaqësi dhe lumturi. Atyre u është dhuruar suksesi për të kryer çdo punë të mirë dhe për t’u larguar nga çdo e keqe. Ata janë begatuar edhe me fitoren në dynja dhe ahiret. Këtyre njerëzve u takon mirësia dhe lumturia. Për këta, Allahu i Lartësuar thotë:

– “Aty do të jenë të përjetshëm, sa të jenë qiejt dhe toka, përveç çfarë do Zoti yt.” – Ata do të jenë në Xhenet përjetësisht, sa të jenë qiejt dhe toka, përveç çfarë dëshiron Zoti. Allahu i Lartësuar e përforcon këtë gjykim më pas, kur thotë:

– “Ata do të kenë një shpërblim të pandërprerë.” – Ata do të kenë gjithçka prej mirësive dhe kënaqësive të përjetshme dhe të mrekullueshme, që Allahu i Lartësuar u ka dhuruar. Ato nuk do të ndërpriten kurrë, në asnjë çast. Ne e lusim Allahun Bujar dhe të Lartësuar që të na dhurojë nga mirësitë e Tij.