– “O ju që keni besuar! Mos thoni: “Raina …” – Besimtarët, gjatë mësimit të dispozitave të fesë prej Profetit (a.s), i thonin shpesh atij “Râinâ” (Vështrona), domethënë: Na shiko dhe mere në konsideratë gjendjen tonë gjatë caktimit të dispozitave. Ky ishte një kuptim i drejtë dhe i pranueshëm i kësaj fjale, por çifutët e përdornin atë me kuptime të këqija e të shëmtuara. Kështu, ata shfrytëzuan rastin dhe filluan t’i drejtoheshin Profetit (a.s) me fjalën “Râinâ“, duke mos patur si qëllim kuptimin e saktë dhe të drejtë të saj, por pikërisht kuptimin e keq të fjalës.
Si rrjedhojë, Allahu i Lartësuar i ndaloi besimtarët nga përdorimi i kësaj fjale, për t’ua hequr atë mundësi çifutëve, edhe pse, në vetvete, ajo fjalë nuk kishte ndonjë të keqe. Ky ajet shërben si argument që, nëse diçka të çon drejt së ndaluarës, ajo konsiderohet gjithashtu e ndaluar, edhe nëse, në vetvete, është e lejuar. Me fjalë të tjera: e lejuara konsiderohet e ndaluar, nëse të çon drejt së ndaluarës.
Ky ajet na nxit, gjithashtu, që të ruajmë edukatën e të folurit dhe të kontrollojmë fjalët që përdorim. Ai na nxit që të përdorim ato fjalë që kanë vetëm kuptime të mira, larg domethënieve të shëmtuara e fyese. Prej tij mësojmë që duhet të largohemi nga përdorimi i fjalëve me kuptime që nuk i shkojnë për shtat besimtarit. I Lartësuari na urdhëron që të themi fjalë që nënkuptojnë vetëm të mirën. Në këtë rast, Allahu i Lartësuar i urdhëroi besimtarët që të thonin: “Unđhurnâ“:
– “… por thoni: “Undhurna” (na vështro) …” – Kuptimi: Fjala “Unđhurnâ” është e mjaftueshme dhe tepër e goditur për të shprehur mendimin tuaj, duke mos nënkuptuar asgjë të ndaluar.
– “… dhe dëgjoni!” – Këtu Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar që të bindemi. Me fjalën “uesmeu” (dëgjoni) nuk është treguar në mënyrë të veçantë se çfarë duhet të dëgjohet. Kjo është bërë me qëllim që ajo të përfshijë të gjitha ato gjëra që duhet të dëgjohen, qofshin ato nga Kur’âni apo nga Suneti i Profetit (a.s). Ky dëgjim duhet plotësuar me të trija fazat e tij, që janë: së pari, dëgjimi me kujdes i fjalëve, së dyti të kuptuarit e tyre dhe, së treti, bindja ndaj atyre që dëgjove dhe i kuptove. Siç shihet, ky ajet është nxitje për një edukatë të lartë në të folur dhe për bindje të plotë. Pas kësaj, i Madhëruari kërcënon qafirët me një dënim të dhembshëm: “Për jobesimtarët ka dënim të dhembshëm”